Një gjykatë të enjten urdhëroi lirimin me kusht të pastorit të fuqishëm Ezekiel Odero, i cili u arrestua javën e kaluar si pjesë e një hetimi për vdekjen e 109 besimtarëve në një pyll në Kenia juglindore.

Autoritetet dyshojnë se anëtarët e Kishës së Jetës së Re të Oteros janë ndër viktimat e “Masarës së Pyllit të Sakaholës”.

Rasti ka tronditur Kenian për shumë javë.

Trupat e adhuruesve – shumica fëmijë – u gjetën në një pyll ku ishin mbledhur anëtarët e një sekti ungjillor, Kisha e vetëquajtur Ndërkombëtare e Lajmit të Mirë, e udhëhequr nga pastori Paul Dhenge Mackenzie. Pastori në fjalë, i cili u kërkoi ndjekësve të tij të agjëronin për vdekje “për të takuar Jezusin”, po ndiqet penalisht për terrorizëm, së bashku me 17 persona të tjerë.

Prokurorët kërkuan të premten e kaluar që Otero të mbahet në paraburgim për 30 ditë, në pritje të hetimeve. Televangjelisti i famshëm dhe i pasur “është një person që ka ndikim mbi mijëra besimtarë” dhe “nëse lirohet ka gjasa të ndikojë te dëshmitarët”, vlerësuan ata. Avokatët e tij, megjithatë, folën për një paraburgim “pa asnjë provë” dhe “pa asnjë ankesë” ndaj tij.

Gjyqtari Joe Omido i gjykatës së Mombasës vendosi se autoritetet nuk paraqitën informacion të mjaftueshëm për ecurinë e hetimit dhe ai është “i bindur se shteti nuk veproi në mirëbesim” në kërkimin e zgjatjes së paraburgimit të pastorit.

Otero u lirua me kusht prej 1.5 milion shilinga (rreth 10,000 euro) dhe detyrimi për t’u paraqitur në një komisariat një herë në javë. Gjithashtu atij i është ndaluar të bëjë deklarata për rastin.

Vendimi u prit me brohoritje dhe këngë nga mbështetësit e tij që ishin mbledhur jashtë godinës.

Lirimi i tij nuk do të thotë mbyllje hetimi ndaj tij – ndër të tjera – për akuzat e vrasjes, rrëmbimit, vetëvrasjes së asistuar, krimeve kundër njerëzimit dhe mashtrimit. Policia duhet së pari të përfundojë hetimin për ekzistencën e mundshme të trupave në vendin ku ndodhet Kisha e Jetës së Re, në një truall prej 260 hektarësh në Mavueni, pranë qytetit Malindi dhe pyllit Sakahola.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re