Detaje të reja dalin në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Beratit mëngjesin e së dielës, ku humbën jetën dy binjakë 5 muajsh. Drejtoria Vendore e Policisë Berat konfirmon zyrtarisht se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes (dhomës ku gjetën vdekjen fëmijët) është përjashtuar mundësia e asfiksimit të tyre nga mungesa e ajrit në dhomë.

Pista ku po hetohet është helmimi. Ekspertët kriminalistikë të Drejtorisë së Policisë Vendore Berat kanë sekuestruar në banesën e familjes Agalliu, në cilësinë e provës materiale, kutinë ku nëna hidhte qumështin që përdorte për të ushqyer fëmijët. Sipas policisë, kutia që nuk ishte kutia e qumështit që përdorej për fëmijët është dërguar në Tiranë për tu analizuar, për të kuptuar nëse ka qenë e papastër apo me mbetje a myk që ka shkaktuar kontaminimin e qumështit që hidhej në të. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se policia është në pritje të përgjigjes së analizave të kësaj kutie ku hidhej qumështi i fëmijëve, analiza që pritet të hedhin dritë për shkakun e vdekjes së tyre.

Dy binjakët 5 muajsh gjetën vdekjen rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës, 20 minuta pasi nëna i kishte ushqyer me qumësht dhe i kishte vendosur në krevat. Prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve kanë dëshmuar gjithçka rreth asaj çfarë ndodhi atë ditë në banesën e tyre. Ata kanë treguar edhe kutinë e qumështit që përdornin fëmijët dhe që sipas datës në kuti, skadonte në vitin 2026 por e kanë mbajtur të fshehtë faktin që nëna e hidhte qumështin në një kuti tjetër para se ta përgatiste. Familja Agalliu jeton në kushte të vështira ekonomike, në një godinë të ndërmarrjeve shtetërore në lagjen Uznovë. Në këtë banesë jetojnë 4 vëllezërit Agalliu me familjet dhe dy prindërit e tyre, gjyshërit e binjakëve 5 muajsh./ Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re