Pas vdekjes së 27-vjeçares nga Berati nga Covid-19, ka reaguar edhe mjekja nga Berati e cila ishte e para që zbuloi se e reja ishte me koronavirus. Sipas mjekes Etleva Vila, e reja kishte 90% të mushkërive të prekura dhe ndaj ata e nisën menjëherë në spitalin Infetiv në Tiranë. Mjekja bëri me dije se ata morën vesh nga mediat se e reja kishte ndërruar jetë.
“Pacientja është paraqitur në repartin e urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit më datë 25 shkurt, rreth orës 12 e pak në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Pasi kishte disa ditë që u shërbente prindërve të cilët ishin të infektuar me Covid. Ishte hera e parë që paraqitej në Spitalin e Beratit dhe nuk është paraqitur në Repartin Infektiv, por është paraqitur në Urgjencën e Beratit.
Pasi i është dhënë ndihma e parë, i janë bërë ekzaminimet e mundshme ku përfshihet Check-Up dhe skanderi ose CT-ja pulmonare që i themi ne. Pasi dolën përgjigjet për skanerin, shohim që rreth 90% e mushkërisë ishte me pneumoni intenseciale bilateral që tashmë është e njohur që është në kuadrin e Covid-it.
Duke parë gjendjen e rënduar ne nuk e kemi shtruar fare në Repartin Infektiv, por i dhamë një ndihmë të shpejtë në Urgjencën e Spitalit dhe e kemi transportuar në spitalin Covid 1 në Tiranë së bashku me të gjitha ekzaminimet që i kemi bërë ne në këtë spital. Spitali Infektiv është spitali ku shkojnë të infektuar nga jugu, Berat, Kuçovë dhe Skrapar.
Ne e transportuam në gjendje shëndetësore siç e thamë edhe më para, por pastaj kemi marrë vesh nga mediat se vajza kishte vdekur. U vërtetua nga skaneri që vajza kishte Covid. Vajza nuk kishte sëmundje tjetër bashkëshoqëruese.”, u shpreh mjekja Etleva Vila.
(R.G/Faxweb.al)
/faxweb
