Prokuroria e Kavajës ka zhvilluar një eksperiment hetimor me shpresën e gjetjes së shkaqeve që çuan në vdekjen misterioze të katër rusëve në hotelin në Qerret.

Nevoja e kryerjes së eksperimentit hetimor është vënë në dukje gjatë kësaj periudhe, ku Prokuroria dhe Policia kanë kryer hetime të njëpasnjëshme, duke u përqëndruar në mundësinë e vrasjes së qëllimshme dhe jo vdekjes aksidentale.

Qëllimi është të hidhet dritë mbi këtë ngjarje të rëndë ku humbën jetën, anëtarët e familjes ruse, Natalia dhe Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i kësaj të fundit, Nikita Belousov.

Synohet të zbulohet mundësia e asfiksimit nga prania klorit në ujë ose nga ajri i kondicionerit, që ishte në sauna.

Ora Neës mëson se çështja është ende në fazën fillestare, ku Policia dhe Prokuroria vijojnë me kryerjen e analizave laboratorike dhe tashmë është dashur të kryhet një eksperiment për të mësuar diçka, më tepër rreth shkakut të vdekjes së menjëhershëm të 4 turistëve rusë.

Me një informacion të hollësishëm mbi këtë çështje është njohur dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila ka kërkuar që të njihet në mënyrë shteruese me ngjarjen në fjalë që tronditi vendin.

Ndërsa zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka urdhëruar grupin e hetimit të mos mbajë asnjë kontakt me median.

“Për shkak të marëdhënieve të dy shteteve, kontakti komunikues për këtë çështje i gazetarëve duhet të mbahet vetëm më zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm”-thanë burimet.

Dyshimet e para që vijojnë të mbetet ende në fuqi janë se katër shtetasit rusë, janë asfiksuar nga klori, por ende nuk është përcaktuar plotësisht me saktësi dhe në mënyrë shkencore ky rezultat.

Rezultatet e analizave pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje, ndërsa nga ana e Policisë dhe Prokurorisë, nuk është ndaluar asnjë person i dyshimtë.

Sipas dosjes hetimore, katër shtetasit rusë kishin mbërritur në Shqipëri si turistë.

Së bashku me miq të tjerë, ata kishin qenë në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku dhe kishin drekuar, ndërsa darkën kishin vendosur që ta kalonin në kompleksin turistik në Qerret të Kavajës.

Madje gjatë ditës, ata kishin rezervuar me telefon dhomën e saunës me xhakuzi që ndodhet në katin e nëndheshëm të hotelit.

Rruga e kthimit nga Ohri bëri që rusët të vinin me vonesë në Qerret. Ata u akomoduan rreth orës 20:30 dhe kërkuan që të kishin privatësi në sauna.

Bazuar në dëshmitë e punonjësve të hotelit, mësohet se katër turistët nuk kanë kërkuar të konsumojnë as pije dhe as ushqime nga hoteli.

Recepsionistja tregon se i ka pyetur nëse dy çiftet dëshironin të konsumonin pije, por ata kanë refuzuar.

Orë më vonë, thirrjet e miqve të tyre ukrainas bënë që pjesëtarët e stafit të hotelit të zbrisnin sërish për të parë se ç’kishte ndodhur me dy çiftet, por u përballën me katër trupa të pa jetë.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re