Faxweb.al mëson detaje të reja nga akuza që rëndon mbi një mjeke të spitalit rajonal të Durrësit, ndaj një pacienti 40 vjeçar, i cili ndërroi jetë në banesën e tij në Shijak.

Burime bëjnë me dije per Faxweb.al se viktima, kishte probleme me mëlçinë dhe ka shkuar në spitalin e Durrësit i intoksikuar dhe ka marrë mjekim nga mjekja Pranvera Kristani, e cila e ka vizituar, i ka dhënë recetë dhe e ka dërguar në shtëpi.

Pasi ka shkuar në shtëpi 40-vjeçari ka vdekur. Duke marrë parasysh moshën e tij të re, familjarët mendojnë se mjekja ka bërë mjekim të pakujdesshëm dhe ndaj edhe e kanë denoncuar.

Burimet thonë se është ngritur një grup prej tre mjekesh për të ekzaminuar 40 vjeçarin. I kanë marre kampionet dhe i kanë dërguar në laboratorin e Toksikologjisë në Institutin e Higjienës në Tiranë. Kur të bëhet ekzaminimi i analizave do të mund të vërtetohet shkaku i vdekjes dhe përgjegjesia e mjekes.

Mjekja Kristani ka deklaruar se çdo gjë e ka bërë ashtu siç i takon, dhe se është e gatshme të përballet me çfarëdolloj hetimi.

Njoftimi i Policisë për rastin:

Shijak – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak proceduan penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasen P. K., 47 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë mjeke në Spitalin Rajonal Durrës.

Për këtë shtetase ka bërë kallëzim shtetasi E. M., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme vëllanë e tij, shtetasin E. M., 40 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në banesë.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re