Policia e Shtetit ka bërë shoqërimet e para në lidhje me vdekjen e minatorit, Muharrem Plaku, në minierën e Bulqizës.

Përmes një komunikate zyrtare, policia bën me dije se ka arrestuar drejtuesin teknik të minierës, shtetasin Veli Losha, si dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë teknikun Saba Hasani.

Të dy këta persona janë shoqëruar përpara organeve ligjzbatuese për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Sipas policisë ata janë vënë nën hetim pasi janë personat që kanë pasur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku dyshohet se si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e së mërkurës, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, si pasojë e një aksidenti është shembur një masiv minerali duke i shkaktuar vdekjen minatorit Plaku.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur me datë 15.09.2021, ku si pasojë e shembjes së një masivi materiali (minerali e inerte), mbeti i bllokuar në një galeri kromi shtetasi M.P., 60 vjeç, pas disa ditësh pune të pandërprerë për pastrimin e galerisë, rreth orës 23.50, datë 19.09.2021, u bë e mundur gjetja e trupit dhe nxjerrja e tij nga galeria.

Për ngjarjen e mësipërme është ndaluar nga Policia drejtuesi teknik i një subjekti minerar, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku i subjektit minerar.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61-vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari (punëtor në minierë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se Plaku, mbeti i bllokuar në një nga galeritë e minierës në Bulqizë të mërkurën që lamë pas.

Shkak u bë një rënia aksidentale e një masivi minerali në vendin ku ai po punonte. Trupi i tij u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm, pas 5 ditësh kërkimesh intensive, ku rënia e inerteve e vështirësoi së tepërmi punën e ekipit të kërkim-shpëtimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re