Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar lidhur me përplasjet e efektivëve të Policisë gjatë kontrolleve në Kampin e Muxhahedinëve iranianë, ku mbeti i vdekur edhe një person.

Përmes një deklarate për mediat, Çuçi është shprehur se vdekja e personit në fjalë nuk ka ndodhur si pasojë e përplajseve të Policisë, pasi sipas tij, ata janë treguar shumë të kujdesshëm gjatë aksionit dhe nuk kanë prekur me dorë asnjë anëtarë të komunitetit.

Ai shtoi se personi që ka ndërruar jetë është një i moshuar rreth 76-78 vjeç, që sipas tij, mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

“Ndihem i keqardhur për këtë reagim të anëtarëve të kësaj organizate ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme qoftë me shtete fqinj, apo të tjera. Ne jemi një vend turistik, që po hapemi gjithmonë e më shumë. Gjithkush që aludon që ne mund të jemi shtrënguar për këto veprime nga vende të tjera, qoftë edhe nga Irani, është pretendim i pabazuar.

Kjo sepse nuk ka qenë qeveria shqiptare që ka hyrë në kamp, por Gjykata. E dyta është shumë i qartë qëndrimi jonë ndaj qeverisë së Iranit. E theksoj që veprimet që janë ushtruar ndaj policisë, janë të patolerueshme. Anëtarët e MEK janë në Shqipëri me angazhimin se nuk do të kryejnë asnjë protestë të çfarëdolloj dhe asnjë angazhim politik.

Ne i kemi plotësuar qëllimet tona në 3 mijë e ca ditë për ta. Unë i kam lënë një person përgjegjës nga Ministria e Brendshme si pikë kontakti për të lehtësuar çdo marrëdhënie me institucionet shqiptare dhe për të zgjedhur hallet e tyre, duke ditur statusin e tyre. Këto veprime janë të pajustifikuara dhe na vendosin në një pozitë të vështirë edhe ne si mikpritës, është një fyerje e kontratës tonë me ta. Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj se vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë.

Por jam i bindur që ka pamje edhe nga vetë anëtarët e MEK brenda Kampit, nuk është prekur qoftë edhe një anëtarë me dorë nga policia. Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore për këtë qëllim. Ai është një burrë i moshuar, rreth 76-79 vjeç. Vdekje brenda kampit ndodhin rëndom, pasi ai është një komunitet që e ka ndërtuar jetën aty. Unë jam i bindur sepse kemi pasur gjithë kujdesin e duhur me të gjithë anëtarët e kampit”, u shpreh Çuçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re