Gustavo Gutierrez, teologu dhe murgu peruan i cili ishte babai i “teologjisë çlirimtare”, ka vdekur në Lima të Perusë në moshën 96-vjeçare.

Ai u bë më i njohur gjerësisht në vitet 1960 dhe 1970 për pozicionin e tij se Kisha duhet të përkrahë të varfërit dhe të luftojë për përmirësimin e jetesës së tyre.

“Teologjia çlirimtare”, siç vëren Guardian, u shfaq në Amerikën Latine në vitet 1960 dhe 1970, një periudhë e trazuar për shumë nga vendet e rajonit.

Rryma argumentoi se Kisha kishte për detyrë të nxiste ndryshime thelbësore politike dhe strukturore që do t’i jepnin fund varfërisë. Shumë argumentuan se rryma ishte frymëzuar nga marksizmi – në fund të fundit, Gutierrez e kishte lexuar Marksin gjatë studimeve të tij në Evropë. Megjithatë, ai vetë tha se idetë e tij nuk kanë asgjë revolucionare, por bazohen në Bibël.

Gutierrez shkroi në vitin 1971 në librin e tij historik “Teologjia e Çlirimit” se “vetëm solidariteti autentik me të varfërit dhe një protestë e vërtetë kundër varfërisë së kohës sonë mund të sigurojë kornizën e qartë, jetike të nevojshme për një diskutim teologjik për varfërinë”. “Askush nuk ka lindur për të vuajtur, por për të qenë i lumtur”, theksonte ai.

Ndikimi i punës së Gutierrez në vitet në vijim ishte i madh.

Priftërinjtë e frymëzuar nga lëvizja morën pjesë aktive në revolucionin sandinist të vitit 1979 kundër diktaturës së Anastasio Somozas në Nikaragua. Lëvizja ndikoi dhe te rebelët e majtë në Meksikë dhe Kolumbi, një vend ku një nga grupet kryesore guerile është udhëhequr për gati 30 vjet nga një prift renegat spanjoll, Manuel Perez.

Megjithatë, idetë e tij hasën në kundërshtime brenda trupit të Kishës Katolike Romake.

Konkluzionet e tij, dhe ndoshta pretendimi i tij se teologjia e asaj kohe mund të mësohej nga një “përballje e drejtpërdrejtë dhe e frytshme me marksizmin”, nuk e bënë Gutierrez të dashur për Selinë e Shenjtë.

Ndërsa Vatikani nuk e dënoi kurrë priftin peruan, as veprat e tij, ai u përfol se po hetohej nga kreu i doktrinës dhe disiplinës së Papa Gjon Palit II, kardinali gjerman Joseph Ratzinger, i cili do të zgjidhej Papa Benedikti në 2005. Ratzinger besonte se Gutierrez, me idetë e tij marksiste, ishte një kërcënim themelor për besimin e Kishës.

Qasja e Papës aktuale, Françeskut, ishte ndryshe.

Megjithëse ai e kundërshtoi “teologjinë çlirimtare” kur ishte kreu i jezuitëve në Argjentinë në vitet 1970, Gutiérrez u pranua në vitin 2015 si folës kryesor në një ngjarje të Vatikanit.

Në vitin 2018, me rastin e ditëlindjes së tij të 90-të, Francesku i dërgoi një letër në të cilën e falënderonte për “kontributin e tij për Kishën dhe njerëzimin” dhe për dashurinë e tij “për të varfërit dhe të braktisurit” e shoqërisë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re