Vdekja e një pacienti në spitalin rajonal të Korçës ka vënë në lëvizje edhe policinë që ka mbledhur provat dhe dëshmitë e nevojshme për këtë çështje tashmë objekt hetimi të mëtejshëm nga Prokuroria. Oficerët e Policisë Gjyqësore, referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’.

 

Ky veprim erdhi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi V.K., 47 vjeç. Policia tha se ky shtetas pretendon se si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm të mjekëve të mërkurën ka gjetur vdekjen vëllai i tij shtetasi Telha Kelo, 57 vjeç, banues në fshatin Pojan, i cili rezultonte i shtruar prej dy ditësh në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.

 

Në lidhje me këtë ngjarje, policia sqaroi se u kryen të gjitha veprimet proceduriale. U sekuestruan në cilësinë e provës kartelat mjekësore të 57 vjeçarit, deklarimet e familjarëve të tij dhe të mjekëve të Spitalit. Ndërkaq, u dërguan vendimet e ekspertimit mjeko-ligjor pranë Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të priten akt ekspertimet përkatëse për përcaktimin e shkakut të vdekjes të shtetasit Telha Kelo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re