Biznesmeni Pashk Palokaj akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, ndërsa prokuroria thotë se po heton edhe zyrtarë që kanë neglizhuar mungesën e masave të sigurisë në kantierin e ndërtimit në Lezhë.

Nga Elvis Hila

Tetë muaj pasi babai i dy fëmijëve, Martin Shquti humbi jetën pasi ra nga skelat e një shtese pallati në Lagjen Besëlidhja në Lezhë, Gjykata e Lezhës vendosi masë sigurie arrest me burg ndaj biznesmenit Pashk Palokaj, administrator i kompanisë Malvini Shpk dhe kreu i Dhomës së Tregtisë Lezhë.

Palokaj dhe drejtuesja e punimeve, Manuela Lala akuzohen për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe për punësim të paligjshëm. Ndaj Lalës, gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak.

Prokurori i çështjes, Sabri Kastrati i tha BIRN se po hetoheshin edhe një sërë zyrtarësh shtetërorë, që sipas tij nuk kishin kryer verifikimin e masave të sigurisë në objektin ku ndodhi aksidenti.

Një raport i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH mbi këtë rast në 8 korrik 2019, tregon se kompania ishte gjetur me shkelje nga një inspektim 6 javë para aksidentit të 16 qershorit, por sipas të njëjtit raport masat e marra pas këtij inspektimi ishin zhdukur ditën e aksidentit.

Dhoma e Tregtisë Lezhë, që drejtohet nga Palokaj e cilësoi arrestimin e tij “abuzim me biznesmenët e ndershëm”, ndërsa pretendoi se Palokajt i ishte ngritur një kurth. Avokatët e Palokajt thanë se po njiheshin me çështjen dhe do flisnin në vijim.

Hetimet e prokurorisë për rastin, sipas prokurorit Kastrati dëshmojnë për neglizhencë në marrjen e masave të sigurisë dhe mungesë të tyre në objekt. Po ashtu, hetimi ka zbuluar edhe mungesë të verifikimit ndaj kompanisë prej institucioneve përgjegjëse, edhe pse në kantier kishte pasur inspektime.

Martin Shquti është një nga 30 viktimat e aksidenteve me vdekje në vendin e punës gjatë vitit të kaluar. Pjesa më e madhe ishin në sektorin e ndërtimit, ku sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, faji për aksidentet u mbetej përgjithësisht punëtorëve, ndërsa kompanitë shpëtonin me gjoba minimale.

Arrestimi i Palokajt

Aksidenti në punë, që i mori jetën Martin Shqutit është raportuar më 16 qershor 2019. Në një raport të Inspektoriatit të Punës të 8 korrikut 2019 thuhet se 43 vjeçari kishte rënë nga lartësia dhe se në vendin e ngjarjes nuk kishte pasur dëshmitarë.

Në raportin e inspektimit pretendohet se nuk ishte e qartë se për kë kompani punonte Shquti dhe se kush i paguante atij sigurimet shoqërore. Inspektoriati pretendon se rasti ishte marrë përsipër nga një person i identifikuar si V.Frrokaj, i cili deklaroi se ishte nënkontraktor i kompanisë Malvini Shpk, me administrator Pashk Palokaj.

Inspektoriati ankohej atëherë se nuk kishte marrë përgjigje as nga prokuroria dhe as nga policia mbi kompaninë përgjegjëse dhe se duhej të mbyllte çështjen ndaj subjektit Malvini Shpk, me administrator Palokajn, në pritje të përgjigjeve nga prokuroria.

Pas 8 muaj hetimesh nga ana e tij, prokurori Sabri Kastrati kërkoi në gjykatë arrestimin e Palokajt dhe drejtueses së punimeve. Sipas kërkesës për masë sigurie, Pashk Palokaj akuzohet për ndërtim pa leje, moszbatim të rregullave të sigurisë në punë dhe punësim të paligjshëm.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Lezhë që drejtohet prej Palokajt sulmoi arrestimin si sulm ndaj biznesit të ndershëm. “Shpreh indinjatën për mënyrën sesi po abuzohet me biznesmenët e ndershëm”, thuhet në reagim. Sipas Dhomës së Tregtisë për rastin për të cilin akuzohet Palokaj ka një zinxhir hallkash përgjegjëse. Sipas saj, sipërmarrësi ishte ftuar për takim dhe më pas i janë vënë prangat.

Prokurori Kastrati i tha BIRN se arrestimi ishte bërë bazuar mbi ekspertizë. “Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se nuk kishte kushte teknike te objekti ku po punohej për shtesë katesh, po ashtu është konstatuar se kishte punonjës të pasiguruar te subjekti në fjalë,” tha Kastrati.

Zhdukja “misterioze” e masave  të sigurisë

Gjetjet e prokurorisë gjatë hetimeve ishin konstatuar më herët nga Inspektoriati i Punës. Në raportin e Inspektoriatit mbi këtë rast thuhet se “historia e aksidentit ishte e paprecedentë”, ndërsa pretendohet se shkeljet në kantier ishin gjetur nga inspektoriati në  4 maj 2019, një muaj e gjysëm para aksidentit, kur ishte urdhëruar edhe pezullimi i punimeve deri në marrjen e masave.

“Për këto shkelje ligjore kanë qenë marrë masa urgjente në inspektimin e datës 4 maj 2019 për pezullimin e punimeve deri në rregullimin e tyre”, thuhet në inspektim. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin me mungesën e tabelave dhe masave të sigurisë në kantier.

Por tre inspektorët që kanë firmosur aktin pretendojnë se problemet ishin rregulluar nga subjekti pas këtij inspektimi të parë dhe masat e marra ishin fotografuar nga inspektorët disa ditë më pas. Në mënyrë të çuditshme, masat e sigurisë mungonin sërish në 16 qershor ditën e aksidentit.

“(tabelat) Fillimisht i ka rregulluar, i kemi bërë edhe foto të tyre që janë në portal, por në momentin që në këtë objekt ka ndodhur një aksident në punë me pasojë humbjen e jetës, nuk është gjetur asnjë tabelë e tillë,” thuhet në raport.

Ndërkohë në detyrat e lëna në 8 korrik pas aksidentit, thuhet se në kantier duheshin vendosur parmakë në lartësinë e duhur për të mos rënë nga lartësia, se kishte mungesë të  mbrojtëseve në shkallët e kantierit dhe mungesë trarësh, tranversash e dërrasash anësore për të penguar rënien nga lartësia.

Prokurori Sabri Kastrati tha se nga ekspertimi i bërë prej prokurorisë ka rezultuar që kushtet teknike në objekt mungonin dhe se punonjësit në objekt ishin të pasiguruar. Kastrati tha se kishte në hetim edhe zyrtarë të cilët nuk kishin marrë masa për të konstatuar problemet e sigurisë në kantier, që siç del edhe nga raporti mund të ishin konstatuar edhe në maj 2019.

Nga raporti paraprak i ISHPSHSH-së mësohet se kompania e Palokajt u gjobit në korrik 2019 me 180 mijë lekë të reja për një dyzinë shkeljesh të gjetura në kantier. Sipas raportit të përpiluar, ndër shkeljet përmenden probleme me skelën dhe mungesë masash sigurie për të ndaluar rënien nga lartësia. Në shkelje po ashtu përfshihen mungesa e rregullave të sigurimit teknik, mungesa e sinjalistikës për rreziqet, mungesa e një personi përgjegjës për sigurinë dhe kërkesat minimale të sigurisë në kantier.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re