Pas raportimeve në media mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në komisariatin e policisë së Kavajës, ku një qytetar është gjetur i vetëvarur në dhomat e paraburgimit, institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në lëvizje në mënyrë të menjëhershme.

Bazuar në legjislacionin përkatës që i mundëson këtij institucioni nisjen e një hetimi me iniciativë, një grup inspektimi nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues i drejtuar nga Komisioneri Ahmet Prençi është nisur në orët e mbrëmjes për në Komisariatin e Policisë së Kavajës.

Gjatë verifikimit në vend janë këqyrur të gjitha procedurat e ndjekura para dhe gjatë paraburgimit të shtetasit nga shërbimi i dhomave të izolimit, ka kryer këqyrjen e kamerave ekzistuese për lëvizjet që kanë ndodhur me qytetarin në momentin e arrestimit, është kryer verifikimi i orareve të shoqërimit, marrjes në pyetje dhe arrestimit të tij dhe kqyrja e regjistrave dhe kushteve të dhomave të sigurisë.

Avokati i Popullit do të vijojë të hetojë aspekte të tjerë të ngjarjes për të dalë në konkluzionet përkatëse ndërkohë që ka këqyrur në vend por edhe ka kërkuar një kopje të kamerave të sigurisë.

Avokati i Popullit ndërkohë gjen rastin të përsërisë thirrjen për rritjen e përgjegjësisë dhe masave të kontrollit në të gjithë sistemin shqiptar të paraburgimit nën administrimin e Policisë së Shtetit.

Avokati i Popullit në çdo raport të tij kërkon pajisjen e ambienteve të komisariateve me sisteme efikase vëzhgimi, dhomave të sigurisë dhe shoqërimit me sisteme lajmëruese alarmi si dhe rritjen e rigorozitetit në kontrollin e çdo shtetasi që administrohet në këtë sistem, për të parandaluar çdo veprim dëmtues apo vetëdëmtues gjatë kohës që ata qëndrojnë në paraburgim.

Përfundimet shkencore të aktit mjekoligjor dhe konkluzionet përfundimtare të organit të procedimit do të merren në konsideratë për trajtimin përfundimtar të rastit nga ana e institucionit.

Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe nxit autoritetet hetuese dhe mjekësinë ligjore të hedhin dritë me shpejtësi dhe profesionalizëm mbi ngjarjen.

/faxweb