Epidemiologu Fabian Cenko, në një intervistë për Fax Neës, e quajti shqetësuese situatën e Covid 19 në vendin tonë, dhe tha se qytetarët do të ishte mirë që të qarkullonin vetëm për të përmbushur nevojat e tyre jetike.

Gjatë intervistës Cenko tha se dy janë mënyrat për luftimin e Covid, e para janë masat kufizuese, dhe e dyta vaksina, që nuk është tërësisht në dorën e shteteve, pasi kërkesa është shumë më e madhe sesa oferta e kompamnive.

Shtimi i rasteve në mënyrë të vazhdueshme, e shoqeruar me shtimin e rasteve të hospitalizuara  tregon që virusi është në rënie të lirë. Mënyra sesi veprojnë sot qytetarët është shumë larg asaj që diktohet nga masat kufizuese.

Vaksina nuk është në dorën tonë, për të pasur sasi të tilla sa për të kufizuar shpërndarjen, padyshim që nëse do të gjendeshin mënyra përmes kufizimit, ashpërsimit të masave, sidomos për shërbimet joesenciale, do të kishim një numër mjaft më të ulët të rasteve.

Kategoria e parë që duhet të vaksinohen padyshim që duhet të jenë mjekët për shkak se përballen vazhdimisht me persona të infektuar, ndërkohë që pas tyre duhet të jenë grupet e rriskut, që mund të jenë personat mbi 75 vjeç apo 80, në varësi të politikave që ndjekin shtetet”, tha Cenko.

Epidemiologu u ndal më tej dhe te vdekja e 18-vjeçarit gjatë ditës së djeshme në spitalin Covid 2, ku tha se na mungojnë të dhëna nëse ka të rinj të tjerë të shtruar.

“Së pari skenari i parë që nga ana epidemiologjike do të doja të arsyetoja, është që pas 10 muajsh, apo 5 muajsh ku shpërndarja e sëmundjes është masive në popullatë, numri i fëmijëve që infektohen po rritet shumë.

Sot jemi me dhjetra mijëra të rinj që po infektohen, dhe në mesin e tyre mund të ketë dhe raste fatale. Mund të jetë dhe fakti që ne nuk dimë në çfarë mase te moshat e reja ky infeksion është shtrirë, ne dimë një rast fatkeq të humbjes së jetës, por ne nuk kemi të dhëna të tjera, se sa të rinj mund të jenë të shtruar në spitale. Na mungojnë këto të dhëna në informacionet që jep Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Cenko.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re