Simon Mirakaj njeriu i cili kaloi plot 44 vite të jetës së tij në internim ka rrëfyer në studion e “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus, disa histori të dhimbshme të asaj kohe.

Ai ka treguar se gjatë kohës që ishte rritur, e thërrasin në Degën e Brendshme në atë periudhë, dhe i kërkojnë që të bëhej bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit.

Mirakaj rrëfen se pavarësisht gjithçkaje, frikës apo çdo mendimi tjetër, ai i lutej Zotit që vetëm veten dhe familjen mos e tupëronte, duke shtuar se e refuzoi kategorikisht këtë propozim të komunistëve.

Pjesë nga biseda:

Mirakaj: Më thërrasin mua në Lushnje për të bërë bashkëpuntorin e sigurimit.

Pranvera Borakaj: Ju këtë e kujtoni si momentin e krenarisë tuaj, por sa e vështirë ishte për t’i thënë “Jo”?

Mirakaj: Jashtëzakonisht e vështirë sepse duhet të merrje parasysh edhe jetën tënde. Duhet të merrje parasysh torturat, presionin psikologjik, ishin shumë gjëra. Më futën në një zyrë më lanë atje nja dy orë. E vetmja që më jepte kurajo ishte se vetëm i lutesha Zotit që të më jepte forcë që mos turpëroja veten, familjen, mos harroja vuajtjet e mia. Më kyçën në një dhomë.

Pranvera Borakaj: Si ishte dhoma?

Mirakaj: Dhoma kishte një krevat, një karrige një tavolinë.

Pranvera Borakaj: Ishe vetëm në dhomë, çfarë mendoje, e dije për çfarë të kishin thërritur?

Mirakaj: Jo nuk e dija. Mendoja se nëse ata vijnë më toruturojnë, unë llogaritja kokën me murin.

Pranvera Borakaj: Sa larg ishe?

Mirakaj: Një pëllëmbë. Nëse vjen një moment mendoja është më mirë me e përplas kokën në mur si burrat dhe me vdek, se sa me u tërhej zvarrë. Kur hapet dera shoh kryetarin e Degës me gjithë një operativ, u çova në këmbë. Filloi me komplimenta, kemi dëgjuar për ty, je djalë i zgjuar. Është gjynah që gjithë ky djalë të rrijë në kamp. Ne të marrim në Tiranë, kemi dëgjuar që luan mirë futboll të fusim në Tiranë, të vazhdosh edhe shkollën e lartë, vetëm se ti je i biri filanit, vijnë njerëzit flasin me ty, ne kemi armiq plot dhe ua shtypim kokën. Ti tha nuk ke nevojë të bashkëpunosh me operativin, por direkt me mua. Unë i thashë me politikë nuk merrem, puna që bëjmë është shumë e rëndë dhe nuk kemi kohë me u marrë me politikë, unë i thashë atë punë nuk e bëj. Unë i thashë jam i pafajshëm, aq sa më tha ule zërin se kryetar i Degës jam unë jo ti. U thashë vdekjen e pranoj dhe bashkëpuntor me ju kurrë nuk ka për të ndodhur.

/Vizionplus.tv/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re