Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti rom, Kujtim Paçaku ka ndërruar jetë. Lajmin e dha kryepatrlamentari Kadri Veseli gjatë seancës së sotme.

Paçaku, mandatin e kaluar ishte mjaft aktiv në Kuvend dhe shprehte shqetësimin se si termat përbuzës të cilët përdoren në bashkëbisedime të ndryshme në Kosovë e kanë penguar integrimin e komunitetit rom në shoqërinë kosovare.

Por pos kësaj, Paçaku do kujtohet për reagimin që bëri në Kuvend ndaj zyrtarëve të lartë të PDK-së, konkretisht deputetëve Adem Grabovci e Safete Hadërgjonaj të cilët në një bashkëbisedim të zhvilluar rreth vitit 2011, dëgjohen pas publikimit të aferës “Pronto” se si argëtoheshin me shprehje të natyrës raciste ndaj komunitetit rom, duke i quajtur “gabelë” e “maxhupë”.

“Jam deputet, anëtarë i Kryesisë së Kuvendit, shkrimtar i komunitet, rom, e jo shkrimtar i komunitetit magjup dhe gabel. Këto dy thënie i kemi dëgjuar në Insajderin e famshëm, ku zonja e nderuar Hadërgjonaj dhe Grabovci. Nuk kam fuqi të ngreh ndonjë akt juridik, por nuk largohem nga kjo foltore, pa kërkuar falje”, tha Paçaku në seancën e 1 shtatorit të vitit 2016, teksa priti kërkimfaljen e cila i erdhi.

I pari qe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“I kërkoj falje publikisht komunitetit rom, për çdo lëndim që ka mundur t’i ndodhë komunitetit rom”, tha Veseli.

Edhe Adem Grabovci kërkoi falje për gjuhën e përdorur.

“Unë e pranoj që në momente të caktuara, ne jemi njerëz dhe kemi momente të dobësisë. Ju kërkoj falje të gjithëve dhe atyre që mund të fyhen nga bisedat telefonike. Të tjerat ia kam lënë drejtësisë. Nëse dikush konstaton se unë kam dëmtuar interesin e vendit tim, urdhëroni denonconi në organet e drejtësisë”, tha Grabovci.

Po kush ishte Paçaku?

Ka lindur më 12 mars 1959 në Prizren. Studioi në Akademinë e Arteve, Departamenti i Muzikës dhe mbaroi studimet postdiplomatike në Pedagoginë e Muzikës.

Megjithatë ai kohë punoi edhe si gazetar. Në vitin 2004 punoi në Radio multientike “Radio Protestant-Paris”. Në vitin 2006 ishte drejtor i organizatës joqeveritare “Romani Bakst Kosova”, kurse në vitin 2007, gazetar dhe drejtor i ueb sajtit në gjuhën rome “Nevipe Kosova”.

Nga 2008-2010 ai ka mbajtur edhe postin e nënkryetarit dhe këshilltar i komunitetit rom në Kosovë, kurse mandatin e kaluar ishte deputet. Paçaku ka qenë edhe shkrimtarë.

Është shpallur edhe ambasador i paqes në një konferencë për kulturë dhe paqe në Ballkan.

Përgatiti: Blendi Gashi – tesheshi.com

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re