Një 60-vjeçar nga fshati Dyshnik i Beratit, gjeti vdekjen në orët e para të së shtunës në ambientet e karantinës në qytetin e Durrësit, ku ishte vendosur së bashku me bashkëshorten për të kryer procedurat e izolimit të detyruar 14-ditor, pas mbërritjes së tij nga Italia. Barjam Luzi mësohet se kishte rreth tre vite që kishte shkuar në Itali me gruan dhe qëndronin tek njëri nga djemtë, pasi ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kurohej në shtetin fqinj.

Ditën e premte, ai ka mbërritur rreth orës 16:00 në aeroportin e Rinasit dhe është dërguar në Durrës për të kryer karantinën e detyruar 14-ditore, së bashku me bashkëshorten e tij. Por gjendja e rëndë shëndetësore e Luzit, ka bërë që ai të ndërronte jetë brenda ambienteve të karantinës rreth orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës. Trupi i pajetë i Barjam Luzit është përcjellë pranë banesës së tij në fshatin Dyshnik, ku ai është mbajtur vetëm 3 orë dhe është varrosur nën masa të rrepta sigurie, me forca të shumta policore gjatë funeralit dhe i shoqëruar vetëm nga bashkëshortja.

Kryeplaku i fshatit Dyshnik, Besnik Greku pohon se, 60-vjeçari vuante prej vitesh nga sëmundja e rëndë kancerogjene.

Edhe komshinjtë e viktimës pohojnë se Barjami kishte ikur vitet e fundit në Itali, ku edhe trajtohej. Ata shprehën ndër të tjera edhe keqardhje për faktin se nuk mundën dot t’i hidhnin një grusht “dhe”, siç edhe e ka zakonin shqiptari në ceremonitë e varrimit, pasi ata nuk u lejuan të merrnin pjesë për shkak të masave të vendosura për frenimin e koronavirusit.

Burimi: balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re