Mariglen Deva është 26-vjeçari që humbi jetën ditën e sotme në aksidentin e ndodhur në Borizanë në aksin rrugor Fushë Krujë-Kurbin, ku një mjet Audi, që drejtohej nga një person tjetër u përplas me bordurën e rrugës.

I riu është me origjinë nga Fushë Kruja dhe një emër i njohur për policinë, pasi vetëm 3 vite më parë u arrestua së bashku me 3 persona të tjerë për vjedhje makinash. Në atë kohë ishte pikërisht Mariglen Deva, i cili u kap në flagrancë teksa po vidhte një makinë në Tiranë. Pranë tij ishin bashkëpunëtorët, të cilët e prisnin në një makinë afër vendit të ngjarjes.

Nga hetimet e kryera në 2017-n, Mariglen Deva dhe bashkëpunëtorët e tij vinin në Tiranë me një makinë, më pas bënin shënjestrimin e automjetit që donin të grabisnin, i thyenin xhamin e pasmë dhe duke bërë zëvendësimin e çentralinës bënin ndezjen e automjetit.

Automjetet që vidhnin i shisnin në dy pika skrapi përkundrejt shumave monetare nga 500 deri në 1000 euro.

Mariglen Deva humbi jetën mëngjesin e sotëm pas aksidentit në Borizanë. Policia njoftoi se mjeti tip “Audi” ku ai udhëtonte si pasagjer humbi kontrollin duke u përplasur me bordurën anësore. Plagët ishin të rënda për Devën që humbi jetën menjëherë, ndërsa shoferi i makinës u dërgua në spital.

Brenda makinës u gjetën dy palë targa, maska e doreza. Paraprakisht, dyshohet se makina është vjedhur në Milot, dhe se dy të rinjtë po ktheheshin nga ndonjë tentativë grabitjeje e mundshme. Edhe personi që ishte në drejtimin e mjetit tip Audi, ka dhënë një identitet të rremë në spital, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re