Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS në kryeqytet, foli këtë mëngjes në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, për vendimet e marra dje në Këshill Bashkiak dhe projektet e reja për Tiranën.

Veliaj tha se janë falur 988 gjoba të vëna për ato familje që pas tërmeteve të datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 filluan të ndërtojnë pa marrë lejen e nevojshme.

“Vendimi për falje gjobash është marrë që në tetor të vitit të kaluar, kur nuk kishte zgjedhje. Është një përsëritje copy-paste e një vendimi që ne morëm dhe vjet”, u shpreh Veliaj.

Ai sqaroi se si u mor vendimi që një rrugë në Tiranë të mbajë emrin e Sokol Olldashit.

“Për emërtimin e rrugës ‘Sokol Olldashi’ zbuluam që një kërkesë ishte bërë nga familja që në administratën Basha, por mesa duket nuk ishte marrë në shqyrtim, kështu që  na u soll në vëmendje dhe thamë po patjetër”, pohoi Veliaj.

Ndërsa tha se puna në Tiranë nuk ndalet, si me shkollat e reja, ashtu edhe me konviktet apo me projekte si Kopshti Zoologjik, zgjatimi i Lanës apo Unaza e Madhe.

“Sot në Tiranë po bëhen 40 shkolla të reja që nuk është pak. Do jetë fushata e parë që ne do të shpëtojmë nga shkollat me dy turne. Gjithashtu kemi mbaruar konviktet tek Inxhinieria. Po bëhen dy konviktet tek Universiteti i Mjekësisë, tetë konvikte të reja tek Universiteti Bujqësorë që më përpara ishin të zaptuara” sqaroi Veliaj.

Për projektet e reja kryebashkiaku tha: “Do vazhdojmë gjysmën tjetër të Unazës që shkon në drejtim të Paskuqanit përgjatë Blv të Ri, përfundon në Tufinë dhe takohet me rrethrrotullimin e Shkozës.

E dyta do të vazhdojë zgjatimi i Lanës. Mbaroi zgjatimi nga Materniteti i ri, nga Brryli deri në Shkozë ku lidhet me Unazën.

Do vazhdojë nga “Pallati me shigjeta” deri ne Kashar me tre korsi për makinat, një korsi biçiklete, brezi i gjelbërt i Lanës dhe sigurtisht do të ketë një zhvillim të të gjithë zonës”, përfundoi Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re