Qytetarë të Tiranës vijojne të mbjellin pemë për të kujtuar data të veçanta në jetën e tyre, si ditëlindje apo përvjetorë.

 

Teksa vijon fushata e Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në qytet, kryeqytetasit janë ndërgjegjësuar duke dhuruar një pemë fëmijëve, nipërve e mbesave.

 

Surprizës së bukur të Vasilika Kitës për nipat e saj iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

“Jam shumë mirënjohës për Vasilikën, ish-punëtorja e përkushtuar e Arkivës, sot në pension, që i kujton fëmijët e nipërit me mbjelljen e  këtyre pemëve. Pak minuta më parë, një grup nga komuniteti ndërkombëtar që jeton në Tiranë, mbolli një pemë për një kolegen e tyre norvegjeze që kishte ndërruar jetë, dhe pak më përpara, dy binjakë për ditëlindjen e tyre mbollën një pemë”.Ky qytet është produkt i heronjve të pakënduar, i heronjve të paparë, i heronjve të vegjël, që ndoshta nuk i njeh njeri, por që japin më shumë kontribute se sa politikanë që thonë do bëjnë hatanë dhe nuk prodhojnë asgjë”.

 

Teksa shprehu bindjen për thyerjen e rekordit të vjetshëm në mbjelljen e pemëve, kryebashkiaku ftoi qytetarët që për festa apo për çdo datë të shënuar për ta, ta përkujtojnë duke dhuruar pemë për qytetin.

 

“Jam i bindur se po të vazhdojmë me këtë ritëm, jo vetëm do i kalojmë 100 mijë pemët që kishim planifikuar për këtë vit, por do vendosim edhe një standard të ri. Kemi përpara edhe Ditën e Verës, një arsye më shumë për të mbjellë pemë”, shtoi Veliaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re