Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i Qarkut të Tiranës, vlerësoi punën e të rinjve aktivistë socialistë, për të përcjellë në çdo derë lajmin e punëve të mira që bëhen në qytet.

 

Në festën për 31 vjetorin e ditëlindjes së FRESSH-it, Veliaj theksoi se patronazhisti sulmohet sepse në fakt, ai ka qenë aktivisti më i shkëlqyer i fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit.

 

“Po të shohësh kundërshtarët tanë, ata sulmojnë strategjitë tona që funksionojnë më mirë. Patronazhisti është ai çuni dhe ajo goca që të vjen tek dera në kohën e pandemisë dhe i thotë një të moshuari: Urdhëro një kuti me ushqime, ja qesja e ilaçeve, a mund të ta mas tensionin? Patronazhisti ishte ai që, pas tërmetit, shkonte derë më derë dhe thoshte: për çfarë ke nevojë? Ke probleme me çatinë? Ata e sulmojnë patronazhistin sepse në fakt, patronazhisti ishte aktivisti më i shkëlqyer i fitores sonë të fundit. Ndaj, unë besoj se ne do të kemi një betejë në çdo rrugë, në çdo lagje, e derë, por do kemi dhe një betejë në çdo telefon dhe në çdo rrjet social për të treguar diferencën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se qytetarët shqiptarë e kanë mjaft të qartë dallimin mes PS-së dhe PD-së.

 

“Ju kujtoj se kur përmendim emrin e kundërshtarit, gjëja e parë që të vjen ndërmend, në çdo sondazh, është viti ’97, ku prindërit e shumë prej nesh humbën paratë e tyre; është viti ’98, kur Kryeministria sulmohej me antitank; është 21 janari, kur protestuesit vriteshin me plumba në mish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kurse kur ti përmend Partinë Socialiste dhe FRESSH-in, ti kujton vitin kur ne ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë; vitin kur ne jemi Qyteti Europian i Sportit 2023. Ti kujton Piramidën, kujton sheshin e ri “Skënderbej”, ti kujton aktivitetet e panumërta që patëm, për të rritur imazhin Tiranës dhe Shqipërisë, kujton Pazarin e Ri, kujton këndet e lodrave, kujton 43 shkollat e reja, kampusin e ri në Universitetin Bujqësor të Tiranës, konviktet e reja të Inxhinierisë, konviktet e reja të Mjekësisë, kampusin e ri në ‘Qytetin Studenti’, abonetë falas, kartën e studentit, konviktet me kosto të përgjysmuara. Kur ti kujton Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Forumin Rinor, ti kujton ditët më të mira të Shqipërisë, më të mirat e e gjeneratës sonë, më të mirat e organizatës sonë”, theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se PS është forca që i hap derën dhe i jep një mundësi çdo të riu dhe të reje për të ecur përpara dhe për të kontribuar për vendin.

 

“Partia Socialiste është një familje e madhe, që i jep besim çdo djali dhe çdo vajze të re, që të bëhet dikushi. Përpara disa vitesh, Edi Rama dhe PS ma dha mua këtë shans. As tapetin e kuq, as derën nuk ma hapte dot një i afërmi im. Derën, mundësinë, për t’i shërbyer këtij viti dhe për të qenë në dobi të këtij qyteti ma dha Partia Socialiste e Shqipërisë. Nëse Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Edi Rama i dhanë secilit një mundësi që të shkëlqejë, që të shërbejë, që të ecë përpara, ka ardhur koha që secili prej nesh t’i japë mbështetje Edi Ramës dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë në datën 14 maj, në zgjedhjet lokale”, deklaroi Veliaj.