Skip to content

Veliaj fiton gjyqin ndaj Tabakut, Rama e provokon: Shpifësi të paguajë…

Gjykata e Tiranës ka vendosur të shpallë fajtore ish-deputeten e PD Jorida Tabaku për akuzat e shpifjes ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas vendimit të Gjykatës, Tabaku duhet edhe të përgënjeshtrojë deklaratat e saj në lidhje me projektin tek Unaza e Re dhe të paguajë një gjobë prej 500 mijë lekësh, shpenzimet gjyqësore dhe ato të avokatit.

Kryebashkiaku Veliaj kishte paditur Tabakun për shpifje, lidhur me deklaratat që ish-deputetja demokrate kishte bërë nga selia e PD-së lidhur me çështjen e Unazës së Re.

Sipas Gjykatës së Tiranës, Jorida Tabakut ka deklaruar gjatë një konference shtypi, se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Veliajt dhe kryeministrit Rama, duke i akuzuar ata për ndryshimin e planit për përfitime personale. Lidhur me këtë deklaratë Gjykata ka vendosur në favor të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ish-deputetja flet për presione

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar ndaj këtij vendimi të gjykatës, duke deklaruar se gjyqtarët ishin në presionin e vettingut.

“Ditën e sotme gjykata e shkallës së parë nën presionin e një vettingu që po bëhet gjithnjë e më partiak, siç edhe Komisioni i Venecias e vërtetoi, mori një vendim në kundërshti me provat dhe faktet që tanimë janë botërisht të njohura.  Shqiptarët janë dëshmitarë se si plani për Unazën e Re ishte korruptiv që në gjenezë dhe gjithashtu që qeveria në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë kanë ndryshuar planin e kalimit të lumit të Lanës për të favorizuar Edmond Begon. Këto qendrime i kam mbajtur në konferencë për shtyp duke paraqitur prova bindëse, sakaq shqiptarët kanë mësuar tanimë edhe për lidhjen e ngushtë Bego-Balla”, shprehet Tabaku.

Më tej ajo thekson se “koha do të tregojë se sa të vërteta kanë qenë vendimet e një gjykate që më së paku iu shmang përgjegjësisë për të gjykuar mbi provat dhe jo sipas pushtetit. Ajo që më gëzon është se ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe ditë edhe më të errëta do të jenë për ato që mendojnë se mund ta blejnë të shkuarën dhe të ardhmen me pasuri apo miqësi.  Asnjë hap pas për të denoncuar e treguar te vërtetën. Shqiptarët meritojnë te dinë se kush i qeveris dhe se kush janë miqtë e qeveritarëve me më shumë se një emër!”.

Reagimi i kryeministri

Kryeministri Edi Rama reagoi pas vendimit të gjykatës për ish-deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, e cila u dënua sot me akuzën për “shpifje”.

Rama në një postimin në profilin e tij në Twitter, ka publikuar vendimin e gjykatës dhe shkruan se një varg gjyqesh vazhdojnë në adresë të asaj shoqate shpifësish, që në gjykatë s’kanë kurrë prova po veç kërkesa për shtyrje!

 

/shqip