Një tjetër kopsht do të jetë gati të presë vogëlushët e kryeqytetit në shtator. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për ndërtimin e ‘Kopshtit 41’, i cili do të jetë i pajisur me kënde lojërash dhe terrene të tjera dedikuar fëmijëve.

 

“Jemi shumë të ndërgjegjshëm që po shtohet jashtëzakonisht kërkesa dhe besimi i prindërve te kopshtet tona. Pra, kur prindërit kërkojnë të sjellin fëmijët në institucionet tona, si çerdhet apo kopshtet, na japin besim, sepse sjellin dritën e syrit, na kanë besuar njeriun e tyre më të shtrenjtë. Angazhimi ynë do të jetë që edhe në kopshtet ekzistuese të bëjmë këto ndërhyrje, por ama, edhe në shkollat e reja të fusim gjithmonë konceptin e parashkollorit apo të një kopshti me një hyrje të veçantë, për të maksimizuar një ndërtesën, e cila ndërtohet një herë e mirë, por mund të ketë disa funksione me dalje e hyrje të ndryshme, siç po bëjmë te shkolla “Bashkim Fino”, e cila po pret në mënyrë të përkohshme fëmijët që kemi këtu”

 

Kryebashkiaku ftoi prindërit të regjistrojnë fëmijët në çerdhet, kopshtet, shkollat që i përkasin zonës së tyre, pasi ato po ndërtohen të gjitha me të njëjtin standard dhe me kushte bashkëkohore, si në qendër, ashtu edhe në periferi të Tiranës.

 

“Pavarësisht motit, u kemi kërkuar skuadrave tona që, edhe gjatë periudhës së pushimeve, në korrik-gusht, të sigurohemi që bëhemi gati në të gjitha institucionet dhe shtatori të na gjejë me një buqetë të re të institucioneve arsimore. Me të mbaruar këtë kopsht, do të fillojmë lotin tjetër, që është loti tek ‘Astiri’ dhe te ‘Liqeni i Thatë’. Kemi edhe dy shkolla të fundit të Njësisë 2 në Sauk. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve, derisa të çojmë në fund këtë kantier dhe pastaj do të vijojmë me regjistrimet që janë bërë te “Bashkim Fino”, për t’u transferuar te kopshti i ri”

 

Ky kopsht pret rreth 200 fëmijë dhe ka një sipërfaqe ndërtimi 902 m2 në dy kate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re