Kryebashkiaku Erion Veliaj ka vizituar shkollën 9-vjeçare  “Xhezmi Delli” e cila pritet të hapë dyert këtë vit për nxënësit e Njësisë 3 pas dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku dhe kanë përfunduar rikonstruksionet dhe janë dyfishuar kapacitetet, duke përmirësuar edhe kushtet.

Veliaj gjatë inspektimeve siguroi prindërit se gjithçka është drejt përfundimit dhe se mund të fillojnë regjistrimin e fëmijëve në shkollën e re.

“Është vërtet mëkat të mundohesh t’i gjesh një mënyrë alternative sistemit online për ta regjistruar fëmijën në një shkollë tjetër, kur shkolla “Xhezmi Delli” është më afër. Ne vërtet mund të jemi gati në fillim të shtatorit ose në fillim të tetorit, por për dy javë nuk ia vlen ta çosh fëmijën në një shkollë tjetër, ndërkohë që shkolla e re po mbaron dhe është në kushte shumë herë më të mira se shkollat bujtëse. Mos i torturoni fëmijët në shkolla të tjera! Kush ka ende dyshim duhet të vijë ta shohë vetë që jemi drejt përfundimit. Ju lutem respektoni sistemin online dhe fëmijët të shkojnë te shkolla që iu takon,” tha Veliaj.

Ai shtoi se kjo shkollë do të jetë një tjetër bizhu që do i shtohet Njësisë 3. “Jemi vërtet të paduruar të sigurohemi që në shtator-tetor të kemi përfunduar edhe detajet e fundit, edhe mobilimin, për shkollën ‘Xhezmi Delli’. Ajo është një bizhu në mes të Njësisë 3, një njësi që po zhvillohet shumë. Shoh pjesë të njësisë që janë afër rrugëve kryesore, ku shumë prej këtyre ndërtimeve informale janë bashkuar dhe konsoliduar në një ndërtim serioz, normal për të liruar hapësira të tjera. Por ardhja e shkollës dhe ngritja e standardit të ndërtimit do imponojë të njëjtën estetikë dhe të njëjtën shije të realizimit të veprave edhe në pjesën tjetër të lagjes,” deklaroi ai.

Veliaj tha se kjo shkollë nuk është e vetmja që hapet këtë vit, por është një buqetë e tërë, që i shtohet godinave të reja arsimore në Tiranë. “Sot jam vërtet krenar, sepse pavarësisht se kanë mbaruar fushata dhe debatet, por nuk kanë mbaruar punët. Ne do të kemi një buqetë tjetër shkollash këtë vit. “Xhezmi Delli”, patjetër është një bizhu shumë elegante në këtë komunitet, shkolla “Partizani”, një nga gjimnazet historike të Tiranës hapet këtë vit. Aty patëm vetëm ceremoninë e diplomimit, por hapja e shkollës në shtator do të akomodojë gjithë zonën e Selvisë dhe zonës së Njësisë 8. Do të thotë që edhe ngarkesa që vinte te Çajupi apo te Shkolla e Kuqe, apo te shkollat e tjera prej ‘Samiut’, ose ‘Partizanit’, do të fillojë të ulet. ‘Çajupi’ do të ketë ambientin e vet, siç e ka, një shkollë të re, por dhe ‘Partizani’ kthehet sot ndoshta shkolla më e bukur në Tiranë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re