Me të shkuar ora 13:00 kur ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve, në tregun e Kombinatit aty ku ishte situata më problematike me qytetarë që nuk respektonin rregullat, u bë dezifektimi i ambienteve të jashtme dhe të brendshme të tregut. Në terren shkuan ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kryepolici Ardi Veliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të parë nga afër vendosjen e rregullave të reja me sinjalistikë dhe me kordonë ndarës në mënyrë që qytetarët mos të jenë më pranë njëri-tjetrit por të ruhet distanca. Kryebashkiaku Veliaj e konsideroi tregun e Kombinatit ‘delen e zezë’, pasi në të gjitha zonat e tjera të Tiranës, tha ai, rregullat po respektohen.

“Nuk do jetë delja e zezë kombinati. Me hir apo me pahir do e bëjë edhe kombinati, siç e kanë bërë të tjerët. Policia do zhvendoset nga zonat e qeta dhe do vijë në Kombinat. Shopingu sikur është viti i ri, është i tepërt. Me rregullat e reja do e vëmë në vijë edhe delen e fundit që na ka mbetur në Tiranë”, tha Veliaj.Veliaj mori shembullin e qytetit të Shkodrës, se si mos respektimi i rregullave dhe i masave kufizuese me qytetarët që ditët e para të shtetrrethimit dilnin shëtitje familjarisht e në grupe, solli përhapjen masivisht të të infektuarve me COVID-19 në këtë qytet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re