Këtë 7 Mars mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në kryeqytet morën një letër mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

Veliaj u shpreh atyre mirënjohjen për punën fisnike, duke i cilësuar si udhërfyes të palodhur drejt dijes, ndërsa shton se e ardhmja e fëmijëve është në duart e tyre.

 

“Gëzuar 7 Marsin! Në këtë ditë të veçantë, dua t’ju përgëzoj dhe t’ju shpreh personalisht mirënjohjen time për punën tuaj fisnike. Unë dhe qytetarët e Tiranës, ju shohim si udhërrëfyes të palodhur drejt dijes sepse në duart tuaja është e ardhmja e fëmijëve tanë. Për këtë arsye, dua t’ju siguroj mbështetjen time në misionin tuaj. Mësimdhënia nuk është një punë e lehtë, sidomos në vitet e fundit, kur sfidat me të cilat jeni përballur, si tërmeti dhe pandemia, kanë qenë të jashtëzakonshme”, shkruan Veliaj

 

Ai u ka siguruar mbështetje në misionin e tyre, duke e cilësuar mësimdhënien një punë të vështirë, sidomos në vitet e fundit ku sfidat i kanë lënë vend njëra-tjetrës duke nisur nga tërmeti dhe më pas edhe pandemia. Veliaj shprehet se 45 shkollat e reja me infrastrukturën e re arsimore e kanë bërë më te lehtë punën e mësuesve.

 

“Me gjithë vështirësitë, ju keni treguar përkushtim e përgjegjësi ndaj profesionit tuaj, ndaj jam krenar që Bashkia e Tiranës ka qenë krah jush edhe në këtë rrugëtim. 45 shkollat e reja dhe infrastruktura arsimore jo vetëm e ka bërë punën tuaj më të lehtë, por edhe më dinjitoze. Ju e dini më mirë sepse aty kaloni pjesën më të madhe të ditës, në shkolla të rikonstruktuara apo të ndërtuara nga e para, me standarde bashkëkohore, plot dritë, me hapësira më të mëdha, laboratorë e klasa të kodimit, biblioteka, palestra dhe terrene sportive, që këtë vit janë pjesë e kalendarit të pasur të Tiranës si Qyteti Europian i Sportit. Jo pa qëllim, kërkesat e prindërve për regjistrime në shkollat publike janë rritur, çka e bën të duhur ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i hapim shumë shpejt”, thekson kreu i Bashkisë.

 

Ai shton se edhe pak javë kanë mbetur nga inaugurimi i Piramidës, e cila do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit në rajon.

 

“Pak javë na ndajnë edhe nga përurimi i Piramidës si qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit në rajon. Pak ditë më parë, në hyrje të Parkut të Liqenit, hodhëm themelet e Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatrit të ri të Kukullave, ku pranë do të jetë edhe Biblioteka Kombëtare. Mezi pres t’u shikoj, së bashku me fëmijët dhe nxënësit, t’i përdorni këto hapësira moderne publike, për të zhvilluar orë interesante mësimi jashtë mjediseve të shkollës tuaj”, tha ai.

 

Kreu i Bashkisë shprehet se në 103 vite Kryeqytet, Tirana po kalon ditët më të mira të saj, ndërsa falenderon mësuesit dhe qytetarët për mbështetjen.

 

“Një rezultat që e kemi arritur bashkë me mbështetjen tuaj dhe të qytetarëve. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu, çdo ditë dhe çdo orë, ne duke u kujdesur për infrastrukturën dhe ju për cilësinë e mësimit. Jam shumë krenar që ndajmë një qëllim të përbashkët, edukimin e brezit të ri të Tiranës, ata që nesër do të marrin në dorë fatin e këtij qyteti”, shprehet kryebashkiaku Veliaj.

 

Letra e plotë.

 

I dashur Mësues,

 Gëzuar 7 Marsin! Në këtë ditë të veçantë, dua t’ju përgëzoj dhe t’ju shpreh personalisht mirënjohjen time për punën tuaj fisnike.

 Unë dhe qytetarët e Tiranës, ju shohim si udhërrëfyes të palodhur drejt dijes sepse në duart tuaja është e ardhmja e fëmijëve tanë. Për këtë arsye, dua t’ju siguroj mbështetjen time në misionin tuaj. Mësimdhënia nuk është një punë e lehtë, sidomos në vitet e fundit, kur sfidat me të cilat jeni përballur, si tërmeti dhe pandemia, kanë qenë të jashtëzakonshme.

 

 Me gjithë vështirësitë, ju keni treguar përkushtim e përgjegjësi ndaj profesionit tuaj, ndaj jam krenar që Bashkia e Tiranës ka qenë krah jush edhe në këtë rrugëtim. 45 shkollat e reja dhe infrastruktura arsimore jo vetëm e ka bërë punën tuaj më të lehtë, por edhe më dinjitoze. Ju e dini më mirë sepse aty kaloni pjesën më të madhe të ditës, në shkolla të rikonstruktuara apo të ndërtuara nga e para, me standarde bashkëkohore, plot dritë, me hapësira më të mëdha, laboratorë e klasa të kodimit, biblioteka, palestra dhe terrene sportive, që këtë vit janë pjesë e kalendarit të pasur të Tiranës si Qyteti Europian i Sportit. Jo pa qëllim, kërkesat e prindërve për regjistrime në shkollat publike janë rritur, çka e bën të duhur ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i hapim shumë shpejt.

 Pak javë na ndajnë edhe nga përurimi i Piramidës si qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit në rajon. Pak ditë më parë, në hyrje të Parkut të Liqenit, hodhëm themelet e Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatrit të ri të Kukullave, ku pranë do të jetë edhe Biblioteka Kombëtare. Mezi pres t’u shikoj, së bashku me fëmijët dhe nxënësit, t’i përdorni këto hapësira moderne publike, për të zhvilluar orë interesante mësimi jashtë mjediseve të shkollës tuaj.

 Në 103 vite Kryeqytet, Tirana po kalon ditët më të mira të saj. Një rezultat që e kemi arritur bashkë me mbështetjen tuaj dhe të qytetarëve. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu, çdo ditë dhe çdo orë, ne duke u kujdesur për infrastrukturën dhe ju për cilësinë e mësimit.

 Jam shumë krenar që ndajmë një qëllim të përbashkët, edukimin e brezit të ri të Tiranës, ata që nesër do të marrin në dorë fatin e këtij qyteti.

 Të dashur mësues, qofshi gjithmonë të lumtur e të rrethuar nga nxënës të lumtur!

 Gëzuar 7 Marsin!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re