Skip to content

Veliaj mbetet në burg/ Avokati Leonard Karaj: Vendim i pritshëm, SPAK ka vendosur një standard të ri

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për FaxNews, avokati Leonard Karaj komentoi vendimin e Gjykatës së Lartë për të mos ndryshuar masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt, duke e cilësuar atë si një vendim të pritshëm.

Sipas Karajt, ky vendim ishte mëse i parashikueshëm, pasi Gjykata e Lartë nuk ka praktikë për të ndryshuar masa sigurie personale.

Ai shtoi se kjo gjykatë nuk i hyn shqyrtimit të çështjes në themel dhe nuk ka kompetencë për të rishikuar elementet që lidhen me rrezikshmërinë e të pandehurit apo nevojën për paraburgim.

Avokati deklaroi se Gjykata e Shkallës së Parë ka vepruar në mënyrë të saktë dhe nuk ka pasur asnjë devijim në procedurë:

“Nuk ka çeduar në asnjë pikë dhe në asnjë presje. Ndjekja proceduriale e veprës penale është bërë në mënyrë të rregullt.”

Sipas avokatit Karajt, tashmë Veliaj ka vetëm dy rrugë për të kundërshtuar masën e arrestit me burg: t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Gjykatës Europiane në Strasburg.

Ndërkaq, Karaj tha se vendimi për të lënë në fuqi arrestin me burg për Veliajn mund të çojë në hapjen e rrugës proceduriale për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës, pasi pozicioni i kreut të bashkisë mbetet bosh për një kohë të pacaktuar.

“Politikisht Veliaj ka vdekur. Edhe nëse pas disa vitesh do të marrë një dënim më të lehtë, rikthimi i tij në politikë është i pamundur.”

Ai shtoi se është pothuajse e pashmangshme që Veliaj të dënohet me një masë, sado e lehtë qoftë ajo, dhe pas 5 vitesh, sipas tij, “nuk do të ketë më asnjë mundësi rikuperimi në politikë”.