Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9 në kryeqytet, ku së bashku me deputetet e PS, Blerina Gjylameti, Mimi Kodheli dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi votën për Partinë Socialiste në mënyrë që punët të ecin përpara falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Qeverisë dhe Bashkisë.

Veliaj tha se ky bashkëpunim ka sjellë një transformim urban e infrastrukturor të Tiranës, që nuk ka ndodhur në 100 vitet e saj si kryeqytet. Ai shtoi se me shtrirjen përgjatë Bulevardit të Ri qyteti i Tiranës është rritur dy herë dhe do vijojë të rritet edhe në mandatin e ardhshëm, por për këtë duhet vota e të gjithë atyre që e duan zhvillimin.

“Tirana e dikurshme mbaronte aty ku ka qenë Stacioni i Trenit, kurse sot shtylla kurrizore e qytetit është rritur dy herë, për t’u siguruar që në shekullin e dytë të kemi një qytet që është rritur dy herë në infrastrukturë dhe urbanistikë. Për këtë e kemi vetë në dorë. E kemi vetë në dorë të punojmë, të ecim përpara, ose të mos punojmë dhe të shkojmë mbrapa. Ne e kemi në dorë që të bashkohemi për një qëllim, të dashurojmë njeri-tjetrin dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Ne e kemi në dorë edhe t’ia fusim gjumit. Por tani jemi përpara një vendimi: Do vazhdojmë të ecim përpara apo do kthehemi mbrapa?”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kthimi mbrapa do të thotë një Tiranë në errësirë, e mbushur me plehra dhe kioska. “Tirana sot është më e bukur, më e pastër, më e ndriçuar. Kthim mbrapa do të thotë që Tiranës mos t’i punojë më Sahati. Kthim mbrapa do të thotë që Tirana të vijë erë dhe të bëhen plehrat mullar, siç i gjetëm. Kthim mbrapa do të thotë që të mos ketë asnjë pemë me gjethe. Kthim mbrapa do të thotë Tirana me 70% errësirë. Kthim mbrapa do të thotë ajo reja e plehrave që digjeshin në Sharrë dhe mbushte me kancer gjithë Tiranën. Kthim mbrapa do të thotë të vijnë marmitat e makinave në sheshin “Skënderbej”. Kthim mbrapa do të thotë gërrhima e një qyteti që nuk lëvizte prej vendit. Kthim mbrapa do të thotë torta e Pavarësisë, ku lamë kokrrën e namit me legenë, me govata, sepse ai ishte kulmi i qytetërimit që përfaqësonin ata. Kthim mbrapa për këta që flasin sot për nënkalimin, do të thotë gropa e Hajdin Sejdisë. Kthim mbrapa do të thotë Parku “Rinia” plot me kioska. Kthim mbrapa do të thotë Lana komplet e zaptuar. Por, ne kemi vendosur të shkojmë përpara”, vijoi Veliaj.

Sipas Veliajt, vota nuk i duhet besuar një partie që në filozofinë e saj ka dhunën dhe nuk vë dot rregull as në shtëpinë e vet. “Kur ti shikon sesi ata trajtojnë shtëpinë e tyre, të jep një shembull si do e trajtojnë shtëpinë tënde. Kur ti shikon që ata i vënë zjarrin shtëpisë së tyre, marrin vare, bishta lopatash, shkopinj bejsbolli, bomba molotov për t’i çarë kafkën njeri-tjetrit, ti kupton se një njeri që nuk e do shtëpinë e tij, nuk e rregullon dot kurrë shtëpinë tënde. Një njeri që djeg shtëpinë e tij, nuk e shuan dot zjarrin te shtëpia jote. Një njeri që përçan shtëpinë e tij, nuk e bashkon dot shtëpinë tënde dhe një njeri që dhunon shtëpinë e tij, nuk e ndërton dot shtëpinë tonë të përbashkët, që është Tirana jonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re