Shoqëria civile u vlerësua nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj me certifikata mirënjohjeje për punën e tyre të bërë gjatë vitit që po lëmë pas.
Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile, ai u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deri tanishëm.
“Fundi i vitit është një moment i bukur për të festuar edhe gëzuar arritjeve, por është edhe një mundësi për të reflektuar, e sidomos për ata që na ndihmojnë. Një shprehje shqiptare thotë ‘trimi i mirë me shokë shumë’, dhe më vjen mirë që një pjesë të përgjegjësisë e kam ndaj me ju sepse askush nuk ia del dot i vetëm. Edhe në vendet më të zhvilluara, në Francë, në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Australi, ndjenja për të ndarë barrën, sidomos për çështjet sociale, është parimi më i drejte sepse askush nuk e ka monopolin, as të bamirësisë, as të zgjidhjes së problemeve”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se falë këtij bashkëpunimi të frytshëm, janë zgjidhur shumë prej problematikave sociale në Tiranë.
“Të gjithë bashkë kemi një mision për ta çuar përpara qytetin dhe sigurisht sfida e një qyteti si Tirana, që rritet në mënyrë galopante, është: A po rriten të gjithë njësoj? Mos kemi harruar dikë mbrapa pas tërmetit apo pandemisë? Ne nuk i dimë cilat janë hallet e njerëzve dhe ndoshta nuk do t’i dimë dot të gjitha hallet, por ajo që dimë është cilat janë zgjidhjet. Zgjidhjet janë menaxhim i çdo rasti, pa diskriminuar ngjyrën, pa diskriminuar prejardhjen, pa diskriminuar familjen, për t’u siguruar që në Tiranë ndihmohen të gjtihë me dinjitet dhe respekt të plotë”, theksoi ai.