Erion Veliaj ka pritur boksierin shqiptar, Kristian Prenga, i cili u shpall kampion bote, duke fituar titullin NAB-North American Belt. Veliaj i dha sportistit medaljen e “Mirënjohjes së qytetit” dhe u shpreh se ky sukses shërben si frymëzim për brezat e rinj.

 

“Je frymëzim për djemtë e vajzat në të gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë Shqipërisë. Shpresoj shumë që të vazhdosh të mbetesh fillimisht një çun i mirë, më pas edhe një sportist i mirë.”

 

Kryebashkiaku tha se tashmë që Tirana këtë vit është edhe qyteti europian i sportit, pret që këtë titull boksieri ta sjellë edhe në kryeqytet.

 

“Mezi pres, këtë vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit, ndoshta e gjejmë një mundësi edhe kur afrojnë festat e nëntorit, të kemi një ndeshje tënden në Tiranë. Unë e di që ti je i zënë dhe sot je në kërkim nga të gjithë promotorët, por për ne do ishte një privilegj i madh që të të kishim, jo vetëm si një luftëtar që sjell Kupën e Botës dhe më të mirën e sportit, por edhe si dikush që frymëzon një brez të ri që të ecë me punë, me përpjekje, e me talent e djersë arrin të ecë përpara,”

 

Boksieri Kristian Prenga ka planifikuar ndeshje në vjeshtë në Shqipëri, por ende nuk ka një datë të saktë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re