Kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj e cilësoi qëndrimin e  sotëm të Presidentit Meta duke dekretuar një datë të re zgjedhjesh tre ditë para 30 qershorit një tallje me qytetarët shqiptarë. Duke folur në “Real Story” të drejtuar nga Sokol Balla, Veliaj theksoi se Kolegji Zgjedhor ka folur qartë se zgjedhjet janë ditën e dielë, ndërsa vlerësoi si thelbësor rolin e mbajtur nga Shtetet e Bashkuara për kombin tonë, gjë që e treguan edhe për këto zgjedhje.

“Shumë politikan përfshirë edhe presidentin harrojnë që shoqëria është emancipuar dhe I jep ujë në bisht të lugës shumë prej politikanëve dhe ti tallesh me miletin  t’u thuash “shkoni ikni, bëni një xhiro nga plazhi e dukuni në tetor”, ndërkohë që qartazi përveç SHBA, hera e parë pas kaq muaj protestë, ne ramë dakord me Lul Bashën I cili gjithashtu nuk e pranon këtë datë. Në qoftë se donte konsensus, Ilir Meta me budallallëkun epik që bëri sot, arriti të formësonte pa dashje konsensus midis forcave politike kryesore dhe I bie që ka pyetur vetëm Tit Vasilin për datën. Kjo më duket realisht një tallje në nivelin grotesk me popullin tënd. Mirë që s’je promovues i unitetit kombëtar, por edhe të tallesh me një popull që sapo e ke përçarë ndërkohë që ke të gjithë kundra, ligjin, kushtetutën kundra, ke 5-0 vendimin e gjykatës kundra dhe ke SHBA kundër. Në momentin që ti thua për të disatën herë Koreja e Veriut, është një lloj vetëkënaqësie që do moderuar disi, kur vjen puna për një autoritet që si të djathtë e të majtë e kemi pranuar që vendi ynë e ka këtë prirje pro perëndimore. Për ne SHBA kanë qenë jetike që në ekzistencën tonë si komb kur diskutojmë kohën e presidentit Ëilson, jetike në transformimin tonë post totalitar …”, tha Veliaj.

Kandidati socialist theksoi se Shqipëria e ka bërë qartë zgjedhjen e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe se nuk mund të prishet me aleatin e saj për faktin se Tit Vasili nuk merr vizë. “Nëse Ilir Meta është gati të hapë luftë me Amerikën, se ai mund të bëjë edhe dekrete të thotë fillojmë luftë me SHBA për faktin që Tit Vasili nuk merr vizë qartazi, ka nënvlerësuar Amerikën por edhe mentalitetin qytetar sot në Shqipëri”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re