Dëgjesën e radhës për buxhetin e vitit 2019, kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka zhvilluar me banorët e Kasharit. Veliaj kërkoi mbështetjen në zgjedhjet lokale për Partinë Socialiste, duke thënë se është e vetmja mënyrë që investimet të vazhdojnë me ritëm të lartë.
 
“Që t’i marrim më shpejt vendimet dhe të kemi mundësi të investojmë me ritëm më të lartë, na duhet që të kemi votat për PS-në në Këshillin Bashkiak. Një nga arsyet pse sot kemi një qeveri efiçente është sepse Edi Rama ka 74 vota. Një shumicë absolute që e bën të ecë pa asnjë ndalesë, që nuk e shantazhon njeri, që s’ka nevojë të bëjë pazar me njeri, që s’ka nevojë t’i bëjë qefin dikujt, pasi e vetmja fuqi që njohim është ajo e qytetarëve që na kanë dhënë votën. Kjo është arsyeja pse na duhet një shumicë e tillë edhe në Këshillin Bashkiak”
 
Duke përshëndetur vendimin e qeverisë për shtyrjen e afatit per deklarimin e vendbanimit, kryebashkiaku kërkoj qytetarëve që të regjistrojnë adresat e sakta.
 
 “Na duhet të reflektojmë faktin se në Kashar nuk banojnë 8 mijë, por 70-80 mijë njerëz. Ndaj do e vlerësoja shumë ndihmën tuaj këtu. Falenderoj qeverinë që e hoqi pengesën e fundit, gjobën, dhe tani nuk na pengon asgjë tjetër për t’u regjistruar. Na ndihmon jo vetëm për buxhetin e bashkisë, na ndihmon edhe kur kërkojmë subvencionimin nga qeveria”
 
Veliaj tha se në këtë njësi do të ndërtohen edhe dy shkolla të reja për të ulur numrin e nxënësve në klasa dhe për të eliminuar mësimin me turne.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re