VELIAJ Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falenderoi edhe banorët e Baldushkut dhe Petrelës për mbështetjen për socialistët në zgjedhjet lokale të 14 majit. Kjo fitore, u shpreh Veliaj, shtyn Partinë Socialiste për të bërë më shumë punën për Tiranën.

 

ERION VELIAJ

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Mund të tregohemi fodullë, se rezultati është aq i madh saqë mund t’i hipë kollaj vetja në qejf kujtdo, por unë besoj se kjo nuk është formula e duhur. Ne e kemi provuar edhe në Farkë, edhe në Petrelë, kur pas fitores jemi kthyer me përulësi dhe u themi njerëzve se këta janë numra për të shërbyer. Ne nuk vijmë këtu si ‘shefa’, ne vijmë si shërbëtorë. Nuk vijmë të krekosur, por vijmë të përulur, që t’i mbarojmë këto punë. Nëse ne kthehemi me përulësi, ju garantoj se Baldushku do na japë gjithmonë e më shumë vota, gjithmonë e më shumë mbështetje, gjithmonë e me shumë përkrahje.”

 

Rezultati në zgjedhjet e 14 majit, shtoi Veliaj, nuk duhet të shërbejë si moment për vetëkënaqje, por për të nisur punën për zgjedhjet e vitit 2025, për të siguruar fitoren e radhës.

 

ERION VELIAJ

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Kush punon fushën, kush punon arat, kush rri nëpër kodra dhe male, e di që mund të jetë e vështirë me e ngjit një kodër ose mal, por sa hipën te maja e atij mali, sheh majën e malit tjetër. Kështu që, vërtet për 2023 maja e malit të fitores sonë politike ishte rezultati spektakolar që morëm edhe këtu në Baldushk, por kujdes, çdo majë mali është edhe rrëza e një mali tjetër. Tani që kemi hipur në këtë majë mali, shohim maja të tjera. Dhe maja më e afërt që shohim, të cilën duhet ta ngjisim është maja e fitores sonë për 2025-ën.”

 

Mbështetja e qytetarëve për PS, sipas Veliajt, u reflektua edhe në rezultatin që socialistët morën në Këshillin Bashkiak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re