Deputeti socialist Erion Braçe thotë se hetimi ndaj Erion Veliajt është politizuar, duke iu referuar debateve në seancën e masës së sigurisë në GJKKO, më 12 shkurt 2025.
Në një intervistë në Report TV, Braçe nënvizon se mllefi i treguar në atë seancë kundër Veliajt tregon se çështja është shkatërruar duke pranuar se paragjykimi ekziston.
Sipas Braçes, Veliaj u burgos për arsye politike 3 muaj para zgjedhjeve.
“Më lejoni të them, kjo që po ndodh dhe kjo që ka ndodhur në rastin e zotit Veliaj pa hyrë fare në çështje, por me kaq sa kam parë dhe me aq sa i referohet vetëm asaj seance të vlerësimit të masës së sigurisë them çështja është e shkatërruar. Më vjen keq. Çështja është shkatërruar, paragjykuar, politizuar, çbalancuar totalisht. Çështja është shkatërruar. Të dëgjosh ato dialogje në sallën e gjyqit e të shohësh si gjyqtari nuk ndërhyn në respect të ligjit për ti dhënë fund asaj gjëje dhe më pas ajo çfarë ndodh me zbardhjen e dialogut gjyqësor. Dialog gjyqësor. Unë kam dëgjuar shumë më tepër se aq në sallën e parlamentit, por jo në sallën e gjyqit. Nuk mund të jetë i pranueshëm ai fjalor në sallë gjyqi. Tregon mllef, nuk tregon respect ndaj atij që po e heton, ndaj lirive dhe të drejtave dhe kryerjes së detyrës nga ana jote. Tregon mllef. Dhe mllefi po e shkatërron atë çështje”, tha Braçe.
