“Fshati dhe zhvillimi i ekonomisë rurale në Tiranë do të marrë një vëmendje më të madhe gjatë 4 viteve të ardhshme”, kështu deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e Vaqarrit.

 

Veliaj tha gjithashtu se zonat rurale do të zënë një vend të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në mbështetjen e zhvillimit të agroturizmit.

 

“Në mandatin e dytë duhet të kalojnë nga rrugë të kalueshme, në rrugë të asfaltuara, si një mundësi më shumë për t’ia rritur edhe vlerën pronës dhe për të tërhequr shumë nga Tirana. Si rruga e Sharrës, si rruga e Ndroqit, që ka dy ditë që ka filluar rikonstruksioni, besoj se duhet t’i japin zonës një lëvizshmëri shumë herë më të madhe se ç’kishim kur kishim këto problematikat e infrastrukturës. Tani që ARRSH ka marrë këtë përgjegjësi dhe përkushtim, do ecim shumë shpejt, për të mbyllur gjithë problematikat e aksit kryesor të rrugës”, tha Veliaj.

 

Gjithashtu, ai shtoi se krahas punës së bërë, edhe gjatë këtij mandati të pare, do të vijojë investimi në pastrimin e kanaleve kulluese për të shmangur përmbytjet, si dhe në kanalet ujitëse për tokat gjatë verës.

 

“Për herë të parë, i jemi kthyer pastrimit të kanaleve, një prioritet i qeverisë së kryeministrit Rama, një zell i tij që të merremi edhe me kanalet kulluese e vaditëse sepse prej kohësh fshati ishte lënë në harresë. Jam shumë i lumtur që ndërmarrjet tona, duke nisur nga kanalet kulluese të rehabilituara, të pastruara, Ura e Beshirit – Tec, Zalltan Prush, Zalltan 2, fshati Gropaj, rezervuari në Prush apo ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit tek lagjja e re pas FNSH, një furnizim me ujë pas 30 vitesh, jam shumë i lumtur që kanë marrë drejtim. Do të doja shumë që me këtë zell që kemi marrë gjithë lagjen, të vazhdojmë edhe me lagje të tjera”, shtoi Veliaj.

 

Kandidati socialist shtoi se Vaqarri, ashtu si Kashari, do të përfitojë nga krijimi i zonës së lirë ekonomike, që do të sjellë edhe më shumë punësim.

 

“Kemi identifikuar një hapësirë nga ana tjetër e rrugës, rreth 60 ha, është zona midis Vaqarrit e Kasharit, dhe duam që ajo të kthehet në një zonë të lirë ekonomike. Ajo që na ka ndodhur është se kanë ardhur kompani, kanë filluar aktivitetin me 100 vetë, u ka ecur puna mirë dhe më pas u është dashur të shtojnë edhe 300 apo edhe 500 të tjerë. Ajo që ndodh duke qenë se tokat janë shumë të fragmentizuara, ka qenë e pamundur që të bësh një kapanon. Kështu që, besoj se zona e lirë ekonomike është vendi që po shpronësojmë dhe ku do investojmë kapanonet e prodhimit “Made in Tirana”, shtoi Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re