Aksioni i Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë ka vijuar edhe këtë fillim viti. Kryebashkiku Erjon Veliaj së bashku edhe me profesorin e gjuhëve të huaja Ilia Lëngu, si një nga vizitorët besnik të parkut të liqenit ka mbjellë fidanë në kopshtin me emrin “Baballarë dhe Bija”

 

“I jam sot shumë mirënjohës profesor Ilia Lëngut, i cili ia ka kushtuar gjithë jetën Akademisë, shkencës, por njeriu ka edhe pasione të tjera në jetë. Pra, asnjë prej nesh nuk është monokromatik, vetëm me një ngjyrë. Ajo që mua më pëlqen më shumë është pasioni i tij për të qenë vullnetar i këtij qyteti. Sepse nga qyteti merr dashuri, energji, hapësira, por qytetit edhe duhet të japësh”, deklaroi Veliaj.

 

Më tej Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në mbjelljen e pemëve me qëllim rritjen e gjelbërimit të qytetit.

 

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, secili sipas mundësive, mbjellja e një fidani është e përballueshme për të gjithë. Pra, nëse secili prej nesh i dedikon një pemë fëmijëve të tij, prindërve, gjyshërve, një përvjetori ose një feste të veçantë, praktikisht ka hedhur rrënjë në qytet, jo vetëm në nivelin metaforik, por ka hedhur rrënjë fizike në këtë qytet nëpërmjet këtij kontributi”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

 

Qeveria ka vendosur objektivin për të mbjellë 2 milion pemë deri në vitin 2030.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re