Pas paralajmërimit të linjave të transportit publik në Tiranë se nga e hëna do të reduktojnë numrin e autobuzëve në qarkullim ka  reaguar kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

“Kur dikush të vendos një ultimatum në temperaturë 40 gradë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm në të njëjtën mënyrë. Premtimi im është: Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën. Më rezulton se deri në këtë orë kanë dalë të gjithë në punë, por ftesa ime është që, në 2023-shin, kjo nuk është mënyra për të ecur përpara.”

Sipas shoqatës së transportit  vendimi vjen për  shkak të pamundësisë  për të funksionuar me kapacitet të plotë dhe mungesës së mbështjetjes financiare, por kryebashkiaku thotë se Tirana  është qyteti I vetëm që subvencionon transportin publik.

“Nuk ecet përpara me ultimatume. Jo të paktën me këtë kryetar bashkie dhe me këtë Bashki të Tiranës. Nuk bëhet kjo në pabesi, në një fundjavë mes korrikut dhe gushtit, nuk bëhet në një qytet që, në fakt, është i vetmi që subvencionon transportin publik, që paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që i ka kompensuar edhe naftën edhe karburantin operatorëve. Ne mund të kompensojmë ato që realisht janë në faturat e shtetit dhe në raportimet që bëhen pranë Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve financiare të Republikës së Shqipërisë. Çdo faturë tjetër, që është imagjinare, ose që ndodh në të zezë, për ne nuk ka si të justifikohet. Kështu që, kërkesa për operatorët është formalizimi! “

Por pas kësaj situate Veliaj thotë se nxorri një mësim dhe tregoi planin  që  do të vërë në funksion së shpejti.

“Sigurisht, mësimin që nxorra këtë fundjavë do ta shfrytëzoj për të ecur edhe më shpejt me një linjë publike dhe me ndërtimin e një autoriteti të transportit publik. Megjithatë, besoj se ishte e pandershme që Bashkia e Tiranës të shantazhohej në një mënyrë të tillë, ndërkohë që kemi 8 vite që e provojmë se askush nuk mund ta shantazhojë Bashkinë e Tiranës.”

Deklaratat kryetari I bashkisë së Tiranës Erion Veliaj I bëri gjatë inspektimit të punimeve në shkollën “Myslym Keta”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re