Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi sot se partia Socialiste do të ketë një fitore spektakolare në 61 bashkitë e vendit.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ” sfidë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin tjetër qeverisës do të jetë furnizimi me ujë në të gjitha bashkitë për 24 orë. Disa janë kampionë, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Puka, ndërsa të tjerë kanë bërë progres. Unë besoj se në bashkëpunim me qeverinë dhe investime inteligjente mund të jemi në rangun e këtyre kampionëve kur vjen puna në furnizimin me ujë të pijshëm”.

Por, vijoi ai, ajo që besoj se është sfida madhe është sipërfaqja e tokës së mbjellë, ku besoj se të gjithë nuk të jemi në të njëjtën shpejtësi.

Duke e fokusuar më pas tek projektet e bashkive dhe qeverisë, Veliaj tha se “fakti që bumi turistik u fokusua në qendrat e qyteteve tregoi se parimi i Partisë Socialiste për vëmendjen tek njerëzit , aty ku ata kanë jetën e tyre publike, që janë qytetet tona ishte një zgjedhje e shkëlqyer”.

“Unë e di që shumë njerëz kanë shumë nga këto filozofi që thonë se njerëzit nuk kanë bukë të hanë e për cfarë na duhen ne këto llaç e tulla. unë nuk besoj se ka pasur një projekt tjetër më të rëndësishëm që i ka shenjuar qytetet tona jo vetëm si pika GPS në hartat google por si pika graviteti për t’iu përgjigjur një pyetjeje. Për çfarë i bëjmë ne qytetet? Për të vënë makina, për të bërë llaç e tulla, apo qytetet janë një vend për njerëzit, në funksion të njerëzve me vëmendje tek njerëzit. Unë besoj se nëse ka diçka që do të ngelet pas 100 viteve, do të jenë Partia Socialiste dhe qendrat e qyteteve”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës tha se “Sheshi Skënderbej do të jetë aty gjithë jetën, Lungomare e Vlorës, Pazari i Korçës po ashtu. Unë dua të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë që vendosën të vendosnin qytetet si prioritet dhe vëmendja tek njerëzit fillimisht nga qytetet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re