Në Njësinë 9 teksa fliste me banorët e zonës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Demokratike e ka humbur sensin e realitetit, duke e krahasuar atë dhe kandidatët e saj me konkurrentët e emisionit “Përputhen”.

“PD është një parti që funksionon si ‘Përputhen’. Ka një studio fikse në parti, vijnë kandidatët për ‘Përputhen’, bëjnë atë debatin e tyre një orë dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Po të kishin lidhje me realitetin, mbasi dalin nga studio në  PD për ‘Përputhen’ do dinin të paktën që taksia e ka taksën zero, biznesi i vogël e ka zero”, tha Veliaj.

Për kandidatët e LSI-së në këtë njësi, kryebashkiaku ironizoi kur tha se janë të gjithë në Njësinë 9 sepse aty afër është SPAK-u.

“Pashë që ju kanë mësyrë në Njësinë 9 të gjithë kandidatët e korruptuar të LSI-së. E dini besoj arsyen pse janë të gjithë tek njësia 9? Se SPAK-u është tek njësia 9, kështu që, një rrugë e dy punë. Janë gjithë ditën në SPAK edhe mundohen që të justifikohen tek partia dhe mbulojnë Njësinë 9. Kjo është arsyeja pse të gjithë kandidatët e LSI-së në Tiranë do t’i shikoni më shumë tek 9 sepse ngaqë gjysma e ditës është në SPAK, justifikon edhe një selfie me ndonjë militant për të treguar që po bëjnë punë partie”, sqaroi Veliaj.

Ndërsa, për rikthimin e tretë të Sali Berishës, Veliaj mori në duar librin e autorit Fred Abrahams, në të cilin shkruhet se çfarë i ka bërë Berisha Shqipërisë gjithë këto vite.

“Ky liber eshte me autor Fred Abrahams, sot eshte nga drejtuesit e Human Rights Watch. Ka shkruar një libër te tërë, ç’i ka bërë Saliu vendit. Kjo është java ku disa misione, jo një, jo vetëm NASA, po disa misione çuan aparatura per eksplorim në Mars. Ne diskutojmë akoma kandidimin e tretë të Saliut! E kuptoni se çfarë diference qytetërimesh? Ka njerëz që thonë rikthimi i tretë i Saliut që ka prodhuar material për gjithë librat, se çfarë do të thotë ta çosh vendin në kaos”, theksoi Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re