Pak orë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, u kërkoi demokratëve që të votojnë për qytetin që ecën përpara. Ai tha se ata që shfaqen si kundërshtarë janë vetëm maskat dhe kukullat e dy njerëzve: të Sali Berishës e Ilir Metës.

Veliaj u bëri një thirrje të sinqertë edhe 61 kandidatëve kundërshtarë: “Duhet të flasim me të gjithë, jo vetëm me njerëzit tanë. Ne tanët i kemi. Në fshatrat që drejton Xhemali fitojmë me 60-70%. Duhet të flasim me të tjerët. Përballë nuk kemi kandidatë të rinj. Përballë nuk kemi fytyra të reja, përballë nuk kemi programe të reja, kemi të njëjtat vjetërsira morale dhe politike që i kemi pasur vërdallë 32 vjet. Kemi Ilirin dhe Saliun, që në këtë fushatë kanë sjellë ca maska të reja.

Sot kanë ardhur me 61 maska të tjera. Mos kini asnjë iluzion! Mua këta që kemi përballë, ky që kemi përballë, më dhimbset. Nga e hëna do jetë i papunë. Çun i ri, që i dha fytyrën e tij Saliut dhe Ilirit. Është turp i madh, i bëj thirrje të gjithëve. Çuna të rinj, goca të reja, mos ia jepni fytyrën tuaj atyre që e kanë fëlliqur këtë vend, atyre që hodhën njerëz në erë në Gërdec, atyre që vranë në Bulevard. Çuna dhe goca të rinj, jeni ende në kohë! Shpëtoni fytyrën tuaj. Jeni 61 çuna dhe goca të rinj nuk mund t’ua falni fytyrën tuaj surretërve të Ilirit dhe të Saliut”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re