Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim sportistët e Ekipit Kombëtar të MMA-së, të cilët dolën të dytët në Kampionatin Ballkanik të Arteve Marciale Mikse, i mbajtur në muajin qershor. Duke qenë se këtë vit Tirana është Qyteti Evropian i Sportit, Veliaj u shprehu mirënjohjen të gjithë lojtarëve që i sollën Shqipërisë medalje të tjera, edhe në një sport jo shumë të njohur dhe praktikuar në vendin tonë.

“Është një kënaqësi që jam këtu me superskuadrën tonë, e cila zuri vendin e dytë. Ka qenë vërtet një performancë e jashtëzakonshme. Jam shumë krenar për ju! E di, disa keni marrë vende të para, shumë të tjerë të dyta, shumë të tjerë të treta, por të qenit në vend të dytë në sporte si artet marciale, ku nuk kemi një traditë ndaj këtyre disiplinave, është vërtet mbresëlënëse. Kemi filluar të fundit në këto aktivitete dhe tani kemi dalë në vend të dytë dhe jam i bindur se është vetëm çështje kohe derisa të shkojmë në vend të parë,” u shpreh Veliaj.

“Ju falenderoj shumë për profesionalizmin, për pasionin dhe për faktin se, që nga moshat e vogla deri te moshat e rritura, ne kemi ndërtuar një rrjet të arteve marciale që lulëzon në Tiranë. Zemra më bëhet mal që këto medalje vijnë kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit. Ne patëm Partizanin, që solli kupën në futboll, patëm Tiranën që solli kupën në basketboll, patëm Studentin, që solli kupën në disiplina të tjera, dhe më vjen mirë që edhe qytete të tjera si Shkodra, po prodhojnë një pafundësi talentesh. Jam vërtet krenar për çfarë kemi arritur,” tha më tej ai.

Ai u shpreh po ashtu, krenar për faktin se turneu i 7-të Ballkanik i MMA-së u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. “Më vjen mirë që kemi marrë një ftesë për të qenë mikpritës edhe i Kampionatit Botëror. Nuk do e merrnim dot këtë ftesë nëse Tirana s’do kishte provuar që di të bëjë aktivitete të mëdha dhe të disiplinuara. Është një vend i sigurt, ku turisti nuk preket, ku ti, edhe në mes të natës mund të ecësh lirshëm. Në momentin që në Tiranë është krijuar ky ekosistem, ku vijnë edhe artistë të mëdhenj, si Enrique Iglesias apo Ricky Martin, e personalitete të mëdha botërore, siç kryeministri ka punuar edhe për procesin e Berlinit, edhe për Samitin e Ballkanit, ku erdhi i gjithë lidershipi i Evropës, atëherë bëhet më kollaj për të fituar të drejtën edhe të një kampionati botëror,” deklaroi më tej Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se deri më tani në Tiranë janë organizuar 600 aktivitete sportive, ndërsa synimi është që ashtu si në vitin e Rinisë, të arrihet në mbi 1000 aktivitete deri në fund të vitit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re