Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit mes Tiranës dhe Shkupit, dy bashkitë kane vendosur t’i japin një tjetër impuls bashkëpunimit mes tyre.
 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim homologun e tij të Shkupit, Petre Shilegov, me te cilin bisedoi mbi shkëmbimin e eksperiencave për të sjellë sa më shumë lehtësira në shërbimin ndaj qytetarëve.
 
 “Jam shumë entuziast për faktin që kryeministri Rama dhe kryeministri Zaev kanë filluar një erë të re të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por tani e kanë radhën qytetet, ndaj edhe Shkupi, edhe Tirana do të duhet të vazhdojnë me të njëjtën energji që Rama dhe Zaev kanë filluar për shtetet tona, sepse në fund të ditës, sigurisht shefat e qeverisë kanë detyrimin që të bashkojnë kombet, ama janë qytetet aty ku lëviz jeta, ku ndodh ekonomia, tregtia, jeta kulturore dhe artistike.”
 
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov tha se duhet të përfitojmë nga eksperiencat e njeri-tjetrit.
 
“Unë fola me kolegun tim të nderuar për sa i përket dy marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy qyteteve, për të ndarë së bashku eksperiencat, sepse janë të njëjtat problematika që kemi në Shkup, edhe këtu në Tiranë. Kështu që, të gjitha eksperiencat, zbatimi i disa projekteve që Tirana ka ndërmarrë, të cilat mund t’i përdorim në shërbim të qytetarëve të Shkupit. Gjithashtu besoj që eksperiencat që po mbledhim nga periudha e shkurtër e firmosjes së para një viti, mund të ndihmojë mikun tim këtu për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Tiranës”.
 
Veliaj bëri të ditur se ekzistojnë shumë fusha ku të dyja bashkitë mund të kenë bashkëpunime konkrete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re