Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti kryetarin e Bashkisë së Tees Valley ne Angli, Ben Houchen, me të cilin diskutoi mbi mënyrat e bashkëpunimit, sidomos për të forcuar marrëdhëniet mes të rinjve në dy qytetet.

 

Veliaj dhe Houchen theksuan praninë e një numri të madh shqiptarësh në Tees Valley, të cilët, siç pohuan ata, janë integruar më së miri dhe po shihet mundësia edhe për një linjë të dedikuar ajrore.

 

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të prisja mikun tim, kryetarin e Bashkisë së Tees Valley dhe kolegët nga Britania e Madhe. Shumë mirënjohje për mënyrën se si është integruar komuniteti shqiptar atje, por edhe në shumë vende të Britanisë së Madhe. Ne jemi një komb emigrantësh. Prej kushteve të vështira të komunizmit, me rënien e atij sistemi, një pjesë e madhe e popullatës sonë emigroi dhe shpeshherë, vetëm kur vizitojmë njëri-tjetrin, kuptojmë se disa nga legjendat dhe mitet urbane që dëgjojmë për 1 në 100 raste, ku dikush ndoshta ka një sjellje jo të mirë, harrojmë 99 të tjerët që në fakt janë familjarë të ndershëm, punojnë fort, krijojnë një biznes, mundohen të jenë pjesë e stofit të Britanisë së Madhe dhe kanë prodhuar reputacion, si ai që ju më rrëfyet për shqiptarët që jetojnë në Tees Valley,” tha mes të tjerash Veliaj.

 

Nga ana e tij, kryebashkiaku Ben Houchen u shpreh se distanca mes dy qyteteve do bëhej më e vogël nëse bashkëpunimi do jetë më i madh, sidomos për studentët shqiptarë që studiojnë në Angli.

 

“Është e mahnitshme të shohësh punën që po bëni këtu në Tiranë. Duam të bëjmë diçka për t’ju ndihmuar, por në të njëjtën kohë, mendoj ta vazhdojmë këtë marrëdhënie, sepse mund të mësojmë shumë nga ajo që ju po bëni, çfarë mund të bëjmë ne veçanërisht me të rinjtë. Ne kemi një universitet të madh në Tees Side. Do të ishte mirë të bisedonim se si mund të punojmë edhe me të rinjtë shqiptarë. Ne kemi një popullsi kaq të madhe shqiptare në Tees Side, ndaj mund të vendosim një linjë direkte nga aeroporti i Tiranës dhe shpresojmë që të shtojmë linja të tjera në të ardhmen,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Tees Valley.

 

Veliaj i dhuroi kryetarit të Bashkisë së Tees Valley, Ben Houchen, Kullën e Sahatit të Tiranës, një shenjë simbolike mikpritjeje në kryeqytetin shqiptar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re