Kryebashkiaku Erion Veliaj ka pritur në bashki Presidentin e Parë të Parlamentit të Landtag-ut të Vjenës, Ernst Woller, qytet i cili zbaton projektin “AL-VET Quality For All”, për arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri.

Pjesë e këtij projekti është edhe konvikti i Shkollës së Mesme Ekonomike të Tiranës, ku Veliaj dhe Woller zhvilluan një vizitë.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e dhënë për arsimin profesional në Tiranë nga qeveria austriake, duke theksuar se ky investim ka rritur cilësinë e arsimit.

“Kur shikoj si është rrethuar hapësira, por edhe pastërtia dhe afërsia e konviktit me shkollen, ndihem mirë për faktin se fëmijët janë në një hapësirë të sigurt, ku ushqehen mirë, ku ka kujdestarë dhe kamera. Çdo prind ndihet i sigurt kur e sjell me besim fëmijën e tij këtu, sidomos në konvikt – se unë e kuptoj fëmijën që shkon në shkollë nga ora 8:00 deri në 13:00, por kur rri edhe natën këtu, do të thotë se ka një besim më të madh”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër Ernst Woller u shpreh se: “Ne jemi ngarkuar nga qyteti i Vjenës për realizimin e një projekti që e shigjeton problematikën nga tre këndvështrime të ndryshme: nga pikëpamja fizike, pra për sa i përket mjediseve dhe infrastrukturës; nga ana psikologjike, për të gjithë ata që jetojnë këtu, dhe ku kanë të përditshmen e tyre, dhe sigurisht që këtë e realizojmë më së miri me anë të edukatorëve tepër të kualifikuar; së treti, është sigurisht fitimi i besimit të prindërve, që duhet të dinë se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta.”

Projekti “AL-VET Quality For All” synon rritjen e cilësisë së arsimit profesional dhe arsimit profesional veçanërisht në fushën e turizmit dhe teknologjisë së informacionit, duke kontribuuar në dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si mundësi për rritjen e punësimit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re