Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj ka organizuar një pritje të veçantë, në prag të festave të fundvitit, me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, personalitete të spikatura të jetës publike, krerët e komuniteteve fetare në vend, e të tjera figura të nderuara të Tiranës.

 

Në fjalën e rastit, Veliaj tha se më në fund, pas pandemisë, qyteti i Tiranës i rikthehet pritjeve tradicionale festive, të cilat bëjnë bashkë njerëzit.

 

“Është një kënaqësi e veçantë që i rikthehemi traditës së të qenit bashkë, festimin e Krishtlindjes për besimtarët e krishterë, Hanukkah për besimtarët e komunitet hebraik dhe Vitin e Ri për çdo familje shqiptare”, u shpreh Veliaj.

 

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, kryebashkiaku tha se Tirana nga Kryeqyteti Europian i Rinisë merr titullin e Qytetit Europian të Sportit 2023, për të cilën ftoi të gjithë personalitetet ta shtojnë në kalendarin e aktiviteteve.

 

“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën tonë. Ka qenë viti kur Tirana u shpall Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe sapo kemi kaluar stafetën te kolegët tanë polakë. Vitin tjetër, kur Tirana do të jetë Qyteti Europian i Sportit, mezi pres që me shumë prej jush, si ata që përfaqësojnë komunitetet e besimit, vëllezërit tanë këtu, edhe ata që përfaqësojnë komunitetet ndërkombëtare, nga ambasadat e pranishme në Tiranë, të kemi një vit tjetër aktiv,” tha ai.

 

Veliaj vlerësoi faktin se komunitetet e besimeve bashkëjetojnë më mirë se kudo në vendin tone, pavarësisht festave fetare:

 

“Ky është ndër të vetmit vend në botë kur na vjen natyrshëm të jemi bashkë, si për Ramazan dhe Bajram, si për Pashkë dhe Krishtlindje. E çmoj shumë kontributin që jepni për kombin dhe qytetin tonë. Ky qytet është më i bashkuar falë jush, ky qytet është më tolerant falë jush. E kam zemrën plot mirënjohje, dashuri dhe respekt për kontributin ditor, që secili prej jush jep për ta bërë këtë qytetin, jo vetëm më të madh e më të pasur të gjithë shqiptarëve, por edhe më të dashur”.

 

Ai nuk la pa përmendur edhe Javët e Kulturës si një traditë e re që i ka dhënë jetë qytetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re