I ftuar në Top Talk, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për prurjet e reja që do të përfshihen në listat e zgjedhjeve të 25 prillit. Ai tregoi se në listat e Tiranës do të ketë risi. Duke bërë një krahasim me opozitën, drejtuesi politik për PS në Tiranë, u shpreh se ata janë botë tjetër.

“Do të ketë shumë risi. Bashkë me kryeministrin, bëmë një prezantim të prurjeve të reja. Do të kemi prurje të reja për ata që u futën në platformën “Deputeti që duam”, do kemi njerëz që vijnë nga të gjitharrugët e jetës. Marrim shembullin konkret në Kavajë. Ne kemi aty Zv. Ministrin e infrastrukturës, Etien Xhafaj, i diplomuar në Harvard.

Ndërkohë, Saliu vazhdon dhe thotë se Kavajën e ka në xhep dhe zihet me Gridën se kush do e lexojë Eseninin në Kavajë. Flasim për dy qytetërime të ndryshme, dy botëkuptime të ndryshme, dy energji dhe dy skuadra të ndryshme.

Do shikoni një gërshetim të deputetëve me përvojë dhe që kanë performuar gjatë këtyre viteve, me gjak të ri. Unë besoj se do kemi një rezultat më të mirë se ai në 2017”, sqaroi Veliaj.

Marrëveshja e opozitës, Veliaj: “Ishte fundi i një grotesku të madh; shqiptarët duan një alternativë serioze, jo fosilet e para 30 viteve, që morën vendin në qafë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka quajtur groteske marrëveshjen e firmosur sot nga Kryemadhi dhe Basha. Në një intervistë për Top Talk, Veliaj tha se opozita, ndonëse nga njëra anë çirret kundër kullave, në anën tjetër zgjodhi pikërisht një kullë për të “celebruar” koalicionin e saj.

“M’u duk groteske që marrëveshja u nënshkrua në një kullë, ndërkohë që kanë kaq kohë që flasin kundër kullave. Ishte fundi i një grotesku të madh! Megjithatë, duhet ta vlerësoj faktin se ishte hera e parë që i shohim bashkë në një nga kullat e Tiranës, jo për të djegur pemë, semaforë, për të thyer pemë, për të vjedhur kapakë pusetash, për t’u zënë me këndet e lojërave, apo për të bllokuar Pazarin e Ri, ishte pak më paqësore,” ironizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se pakti opozitar i ngjante më shumë shumë Covid party sesa një marrëveshjeje me një program të qartë, ku prioritetet e ardhshme të jenë rindërtimi dhe pandemia.

“Flasin për rindërtimin, ndërkohë që jo vetëm kanë shpenzuar financat e tyre për të sponsorizuar liket në Facebook dhe Instagram, por s’kanë dhënë akoma një pako ushqimore, apo të ndihmojnë me një nga vilat e tyre, që i shtuan gjatë kohës së tërmetit. Për sa i përket pandemisë, e patë që vetëm Luli ishte me maskë, të gjithë të tjerët praktikisht e shkatërruan programin e tyre për të luftuar pandeminë një minutë pasi e firmosën. Ishte më shumë një Covid Party”, vijoi ai.

Veliaj gjithashtu tha se shqiptarët duan një alternativë serioze. “Ai bashkim i fosileve të opozitës, njerëz që kanë që nga viti ’91-’92, duke filluar që me Sali Berishën dhe Ilir Metën, kanë qenë kryeministra, kanë qenë presidentë dhe po u thonë shqiptarëve na lini të kthehemi për herë të tretë, të katërt në vitin e 30-të të ekzistencës së tyre politike,” e përfundoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re