Nga Njësia 4, ku vijoi turin e bashkëbisedimeve me banorët për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se alternativa e vetme që ofrohet sot nga kandidatët e opozitës për qytetarët është diskriminimi i të ardhurve.

 

 

“Mezi prisja të fillonte fushata se mendoja se do të sillnin ide të mira sepse, thashë, ndonjëri mund të ketë një ide më mirë si mund ta bëjmë një punë. Por, kur ti dëgjon nga goja e të gjithë kandidatëve përballë, që thonë: ‘na mbytën të ardhurit, unë nuk jam i ardhur dhe prandaj duhet të fitoj’, ti thua: ‘mendova se ti do të kandidosh me ndonjë ide të mirë, se ne këtu të gjithë të ardhur jemi’. Numri i atyre që janë 300-400 vjet tirons është shumë i vogël, madje edhe ata mërziten nga thënie të tilla, sepse këto pallate që ndërtohen te shtëpia e një tironsi, zgjidhin strehimin për 3-4 kurora që jetonin në një shtëpi me qerpiç, kurse sot jetojnë si njerëz”, tha Veliaj.

 

 

Ai tha se, në një qytet të destinuar të rritet, pasi çdo vit mbi 30 mijë njerëz zgjedhin të ndërtojnë një jetë më të mire këtu, do t’i jepet mundësia kujtdo që dëshiron të ketë historinë e tij të suksesit në Tiranë.

 

 

“Unë dua shumë që t’iu bëj një apel të gjithë atyre që kandidojnë: Eja të flasim për ide! Nuk mund të thuash që sot s’jam i ardhur, apo të tregosh që je racist, kur ky qytet, në fakt, është përkthimi i ambicies sonë për të shkuar te vendi ku janë më shumë mundësitë, ku ka shkolla më të mira, ku ka spitale më të mira, ku ka rroga më të mira, ku ka ekonomi më të madhe, ku ka Teatër, Opera, ku ka një stadium më të madh. Nëse ky qytet, njërin nga Tropoja e bëri president dhe kryeministër dhe tjetrin nga Skrapari e bëri president dhe kryeministër, atëherë ky qytet do t’i ofrojë mundësi çdo çuni dhe çdo goce që, pavarësisht ku ka lindur, pavarësisht si ia quajnë prindërit, pavarësisht çfarë tesere partie ka, duhet të ketë një shans në jetë si gjithë të tjerët”, vijoi Veliaj.

 

 

“Lider i mirë nuk është ai që tregohet racist dhe thotë ‘mbyllni qytetin, të ikin këta të ardhurit’. Lider i mirë është ai që thotë ky është destini ynë. Ne duhet t’i përshtatemi këtij qyteti që sot është 1 milion e 10 mijë,” nënvizoi kreu i Bashkisë. Ai tha se nga viti 2015, sipas INSTAT, është rritur dy herë e gjysmë vlera e pronës në Tiranë. Kjo, pasi qyteti është i pastër, jo si 7 vite më parë kur ishin plehrat mullarë, qyteti është i ndriçuar, ka urbanistikë, infrastrukturë etj.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re