Në vijim të turit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 Majit, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj mbolli disa pemë në Njësinë 5 në kryeqytet.

 

Veliaj renditi me banorët disa prej investimeve më të rëndësishme që janë bërë në këtë zonë, të cilat kanë bërë që të rritet ndjeshëm vlera e pronës.

 

“Dikur në “Rrugën e Kosovarëve” duhet të kaloje me tank, sot është një nga rrugët që i është rritur më shumë vlera e pronës në të gjithë Gadishullin Ballkanik, se në Tiranë dhe në Shqipëri as nuk diskutohet. Rruga e Kosovarëve sot është komplet model zhvillim. Ka disa veta që thonë është rritur shumë vlera e pronave. Në Tiranë 93% janë pronarë. Në qoftë se një pronë në 2015-n vlente 100 lekë dhe tani vlen 250 ose 300, kjo është mirë apo është keq? Keq është kur bie vlera e pronës. E di unë si ulen çmimet e pronës. Lërë një natë Tiranën pa pastruar, bie vlera e pronës. Lëre dikë të fillojë ndërtimi pa leje, bie vlera e pronës. Lëre dikë të të çajë rrugën përpara dhe të të vërë kunja dhe bllokues, bie vlera e pronës. Lëri komshinjtë të theren me njëri – tjetrin, pa administrator dhe të bie vlera e pronës. Lëri të kthehen ata siç e bëmë atë gabim në 2011-n dhe ne e pamë që shkoi vlera e pronës si ‘kovë pusi’ ”, theksoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku tha se kush ka bërë 100 punë, shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë e investime të tjera, bën akoma më shumë.

 

“Kush i bën 40 shkolla bën edhe 42, kush i bën 100 rrugë, bën edhe 105, kush i bën 1 milion mbjellje bën edhe 1 milion e 100 mijë. Por kush nuk ka prekur mistri dhe lopatë me dorë, nuk bën dot asnjë punë. U them kundërshtarëve, një shkollë më thoni nga fillimi në fund. Heshtin se nuk kanë bërë asnjë shkollë. Ne duhet të përveshim mëngët, të vazhdojmë përpara, të bëjmë edhe lotin e fundit të shkollave dy të Astirit, dy të Liqenit të Thatë, dy të Saukut, për t’u siguruar qe mbaron kjo punë”, tha Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re