Gjatë takimit me Forumin e Gruas në Kavajë, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, mirëpriti dhjetëra gra, të cilat iu bashkuan familjes socialiste.

 

Ai u shpreh se çdo demokrat e ka kuptuar sot se gjëja më e rëndësishme është familja dhe jo partia.

 

Dua të falenderoj ato zonja që mund të vijnë nga familje të djathta të persekutuara, të përndjekura dhe që janë bashkuar me Forumin e Gruas dhe gjithë gocat e mrekullueshme të Kavajës. Mirë se erdhët në shtëpinë tonë! Është edhe shtëpia juaj. Familja jonë është partia më e rëndësishme nga të gjitha partitë e botës. Nëse familja jonë ka një çerdhe më të mirë, kjo është një arsye për një votë për Redi Kralin. Nëse familja jonë ka një kopsht më të mirë, kjo është një arsye për të votuar numrin 2. Nëse shkollat e Kavajës janë më të mira, kjo është një arsye për familjen tënde.

 

Veliaj nuk kurseu as akuzat për kundërshtarët politike teksa tha se Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk u shqetësuan kurrë për kopshtet, çerdhet dhe shkollat e Kavajës, pasi halli i tyre është shpallja non-grata.

 

Saliu me Ilir Metën nuk kanë hallet tona, ata kanë halle të tjera. Ata nuk shqetësohen për ju. Kur ishte hera e fundit që patë Sali Berishën të shqetësohet për një çerdhe? Nuk e mban mend njeri se nuk ka ndodhur kurrë. Kur ishte hera e fundit që Saliu të shqetësohet për një kopësht? Nuk e mban mend asnjë, se nuk e ka bërë kurrë. Kur ishte hera e fundit që Sali Berisha u shqetësua për një shkollë? Nuk e ka bërë kurrë, prandaj nuk e mban mend njeri. Sali Berisha ka vetëm një hall, që nuk e lënë amerikanët të dalë nga shtëpia. Pas këtij takimi secila prej zonjave këtu mund të marrë avionin të shkojë ku të dojë, përveç Sali Berishës që nuk shkon dot deri në Rinas.

 

Veliaj u kërkoi qytetarëve të Kavajës që tia besojnë votën e tyre të majtës për më shumë investime dhe zhvillim për qytetin e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re