Nxënësit ekselentë të shkollave “Sinan Tafaj” dhe “Andon Zako Çajupi” zhvilluan një bashkëbisedim me kryebashkiakun Erion Veliaj, me të cilin diskutuan për rëndësinë që Bashkia e Tiranës po i kushton promovimit të nxënësve të mirë në kryeqytet. Veliaj i inkurajoi nxënësit të jenë gjithmonë bashkëpunues dhe solidarë me njëri-tjetrin.

“Në një vend i cili është prekur gjithashtu, nga histeria e mediave sociale, e lajmeve të rreme, e atyre që quhen fakte alternative, unë besoj se kush është i mirë, mbetet, pavarësisht se ndonjëherë ‘llumi’ shkon lart dhe ajka poshtë, është vetëm çështje kohe sa ajka e shoqërisë, më të mirët, të jenë lart. Po të jeni të fokusuar, jam i sigurt se do të mbërrini në finish dhe do të shkëlqeni. Në thelb, ky është mësimi kryesor i jetës, sa të përkushtuar jeni për të qenë më të mirët, siç keni qenë deri tani”, tha Veliaj.

Për kreun e Bashkisë, reputacioni i shkollave të kryeqytetit varet nga historitë e suksesit që shkruajnë vetë njerëzit dhe jo nga historitë e së kaluarës. Ai shtoi se ky reputacion duhet kuruar përditë. “Historinë e suksesit e shkruajnë vetë njerëzit, nuk ta sjell “Zana e Malit”, as historitë e së kaluarës apo anekdodat se cilat kanë qenë shkollat më të mira të viteve ‘80-të. Kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë; kjo do të thotë se reputacioni është diçka që kurohet përditë dhe nuk mund të vazhdojë inercia e 40 viteve”, u shpreh ai.

Veliaj u drejtoi një ftesë të rinjve, për të shtrirë këndvështrimin e tyre përtej të qenit nxënës të mirë. Sipas kryebashkiakut, në radhë të parë ata duhet të jenë qytetarë të mirë, pavarësisht kundërshtive apo debateve. “Po ta shikojmë njeri-tjetrin me këtë sy, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Është provuar edhe më parë se ky qytet mund të çohet përpara, por edhe është mbushur me plehra. Ama, e kemi bërë Kryeqytetin Europian të Rinisë, të Sportit dhe vitin tjetër do të jetë i Kulturës”, përfundoi kreu i Bashkisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re