Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ia ka drejtuar qytetarëve një mesazh për respektimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Duke iu referuar rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, Veliu tha se vendimi i qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim duke filluar nga dita e enjte, ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.

“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit. Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi.”

Për Veliun, marrja e një mase të tillë synon edhe shmangien e një mbylljeje si ajo e pranverës së këtij viti, ndërsa paralajmëroi se Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e shëndetësisë.

Veliu njoftoi se patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike, ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës.

“Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi. Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre. Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re