Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu këtë të mërkurë ka inspektuar portin e Durrësit nga ku ka dhënë edhe porosinë e me qëllim përballimin e fluksit, parandalimin e azilkërkimit, si dhe rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë që mund të zhvillohet nëpërmjet këtyre pikave.

 

Gjatë inspektimit të tij Veliu ka parë nga afër procedurat e kontrollit dhe krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes së gjatë për të hyrë si pasojë e fluksit në rritje çdo ditë.

 

Në fjalën e tij ai u ka kërkuar punonjësve të policisë në sportele që të jenë të angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, dhe të ofrojnë një shërbim sa më cilësor dhe në kohë, gjithashtu ka porositur drejtuesit e Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, që në raste të fluksit të madh të aplikojnë procedurat e përshpejtuara, por pa lënë mënjanë kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta.

 

Një problem tjetër janë dhe policat e sigurimit false dhe Veliu ka kërkuar evidentimin dhe ndëshkimin e autorëve.

 

Veliu ka diskutuar me drejtuesit e Policisë Kufitare, që të bashkëpunohet me Policinë italiane kryesisht në Bari, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata persona që shesin polica sigurimi false, nisur kjo edhe nga denoncimet e shtuara të qytetarëve, të cilët kanë blerë në portin e Barit nga shtetas shqiptarë, siguracion automjetesh të falsifikuar.

 

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Schengen, me qëllim parandalimin e atyre personave që kanë për qëllim lëvizjen në vendet e BE-së për të kërkuar azil.

 

Veliu ka theksuar se është prioritet kryesor i Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të parandaluar këtë fenomen. Policia e Shtetit krahas masave të rrepta që po aplikon qoftë në pikat e kalimit apo në patrullimet e shtuara në kufirin e gjelbër, po bashkëpunon ngushtësisht me partnerët, për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që kanë mundur të kalojnë kufirin për të kërkuar më pas azil në vendet e BE-së.

 

Ndërkohë në mbyllje të inspektimit Veliu ka kërkuar një vëmendje dhe kontroll të detajuar edhe në drejtim të parandalimit të trafikimit të lëndëve narkotike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re